Çfarë dua unë nga zgjedhjet?

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Në fushata, politikanët ushtrojnë të drejtën e tyre të ligjshme të spërdredhjes së fjalëve, që të ndikojnë publikun me premtimet. Nga aspekti komunikues, kronikat televizive mbushen me fraza që përçojnë ide edhe përtej realitetit elektoral. Për shembull, vetëm sot, me një “dëgjim” të kujdesshëm vura re disa prej këtyre frazave: “Sa të jem unë kryetar…” thotë një nga kandidatët! Kuptohet, që fraza “sa të jem unë kryetar” kur s’je zgjedhur kryetar, është një përpjekje për të përçuar siguri elektoratit që kjo punë është e mbaruar.
Gati gati, duket e nevojshme anulimi i fushatës edhe caktimi apriori i kandidatit kryetar – qoftë edhe për të verifikuar nëse e mban dot fjalën.
“Unë do ta mbaj fjalën… ja keni për ta parë!” Një frazë e thënë ndryshe, por mesazhi është i ngjashëm! Madje, shtohet edhe një dozë e nënkuptuar pamundësie edhe sinqeriteti për ta vërtetuar “premtimin”. Njësoj, “thirrja urgjente” është për ne zgjedhësit, t’ia japim mundësinë kandidatit përpara afatit… sepse duam t’i shmangim një stërmundim “para-lindjeje” një kryetari të ardhshëm…
Unë, si një nga qytetarët, dua të shoh ca premtime të realizuara… madje, njësoj si kandidatët për kryetarë, dua ti shoh këto premtime të realizuara që tani… përpara zgjedhjeve:
1. Unë dua nga kandidatët… që të mbarojnë fushatën shpejt!
Nuk e di nëse e vënë re kandidatët vetë, por fushatat zgjedhore janë të lodhshme për qytetarët… të paktën për qytetarë si puna ime! Ditë pas dite, tavolinë pas tavoline, orë pas ore, kronikë pas kronike… një zhurmë akustike krejtësisht jashtë standarteve europiane që po na i dalldis veshët. A mund ti biem më shkurt? Vetëm 5 minuta më pak fjalë, janë sa një jetë…
2. Unë dua nga kandidatët… që disa prej takimeve elektorale ti bëjnë në kafenetë që kanë vendosur tavolina në rrugë duke zënë trotuaret rrugë-kalime të banorëve.
Dhe m’u në mes të takimit, kandidati t’i drejtohet pronarit të lokalit e ti thotë: “më vjen keq, por ta dish, që po më dhe votën, këto tavolinat do të ti largoj prej këtu!” Ndoshta pronari i kafenesë do të mërzitet, por qytetarët që janë ulur aty, do t’ia japin votën me siguri. Në fund të fundit, nuk të duhen të gjitha votat për të fituar, apo jo? Mbi 50%  mjafton!
3. Unë dua nga kandidatët… që të vendosin të shkojnë për dreka e darka të njerëz që nuk kanë për të ngrënë e për të pirë… dhe ti marrin ushqimet me vete!
Me këtë rast, jo vetëm ushqejnë dikë që ka nevojë, por edhe fitojnë një votë me mund…
4. Unë dua që kandidatët të flasin në numrin shumës!
Jo, se kjo medoemos do të thotë që kandidati do të na pyesë ne, por të paktën, nuk duket aq keq publikisht sa kur thotë “unë…”.
5. Unë dua që kandidatët të na premtojnë që do të na lënë rehat pas zgjedhjeve…
Nuk iua kemi ngenë që edhe ti zgjedhim, edhe të na dalin në televizor për natë. Ka shumë njerëz që punojnë besnikërisht aty ku janë, e s’kanë nevojë të na tregojnë në darkë që kanë punuar… Nëse ke bërë punën, s’ka nevojë të na tregosh që ke punuar. Puna flet vetë! Lëre punën të flasë!
6. Unë dua që kandidatët të tregojnë integritet personal…
E kam fjalën, të kenë një bosht moral të mirë ku të mbështeten! Dhe të mbahen aty, pavarësisht nga dallgët! Ndoshta është standard i lartë – dhe jam naiv në pritjen time! Por, integriteti personal është baza e sjelljes politike dhe njerëzore – dhe pa të, çdo mundim për të na mbushur mendjen, do të degradojë një ditë në histori poshtëruese për personin vetë, që hiqet ndryshe nga ç’është! Integriteti nuk ka vlerë për të më mbushur mendjen mua… Integriteti ka vlerë për përjetësinë e vetë personit që e zotëron! Edhe kjo ka shumë më tepër vlerë se fitimi i një gare të përkohshme…
Kaq dua! Tani po shkoj të fik televizorin sepse e kam të qartë se si do të shkojë kjo punë…

 

E mirepresim mendimin tuaj: