Kur të vjedhin perëndimin e diellit…

kuturuJeta Shqiptare, Uncategorized, Viz-Kuturu0 Comments

Ne banojmë në katin e 9-të të një pallati. Që shikon nga Lindja, Veriu dhe Perëndimi. Një nga arsyet përse e blemë pallatin në katin e fundit, ishte pikërisht fushëpamja. Në mëngjes (nëse zgjoheshim herët) mund të shikojmë lindjen e diellit. Pasdite, nëse kemi mundësi, shikojmë perëndimin e diellit nga ballkoni. Por tani, disa pallate më tutje, po ndërtohet një pallat i ri… i cili në fillim kishte 8-të kate (siç e thotë edhe tabela shoqëruese e punimeve).

Por tani po mbin kati i nëntë. I cili po na zë një pjesë të perëndimit. Ndoshta është me leje. Megjithëse autoritetet nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje.

Vajza jonë 10 vjeçare ka dëgjuar bisedat tona rreth “humbjes së perëndimit” dhe kishte shkruar një letër. Pa porosinë tonë. Pa dijeninë tonë. Nuk po e vendos letrën për të kërkuar ndonjë gjë. As për të pritur ndonjë përgjigje. As për të fajësuar bashkinë ose të tjerët që merren me këto situata.

Por, sepse fjalët e saj, e shprehin shumë prespektivën e të jetuarit në Tiranë, ku ditë pas dite, ikën edhe pamja, edhe ajri, edhe hapësira, edhe perëndimi!

Letra e Joanës

“Tiranë më 21.12.2016

I nderuar zoti Erion Veliaj, 

Unë që po të shkruaj jam Joana. Unë jam vajzë e klasës së katërt? Unë banoj tek rruga “Xhanfize Keko” dhe pallati im është përballë pallatit të ri që ju keni planifikuar që ta ndërtoni. Ballkoni i prindërve tanë është vendi jonë si familje më e bukur e i preferuar. Ne e pëlqejmë atë sepse shikojmë perëndimin. Babai im i ka shumë qejf ato. Por tani ne nuk mblidhemi. Pse? Arsyeja është kjo: perëndimi ndalëngadalë po takohet me katet e pallatit tuaj. Më pas, nëse vazhdon kështu, kur ne të mblidhemi si familje ne do të shikojmë tullat e punëtorëve. 

Tani, përpara se të marrësh idenë e gabuar unë nuk po të them prishe pallatin. Të lutem na kupto. Unë nuk di shumë për politikën dhe nuk merrem me atë. Unë nuk e di se çfarë ke planifikuar ti ose punëtorët. Familja jonë do thjesht që perëndimi të mos bllokohet nga kjo ndërtesë. 

Jam e sigurt që Ju do ta vlerësoni shqetësimin tonë dhe do të merrni masat e duhura për ta zgjidhur këtë problem. 

Me respekt, Joana Karoshi.”

E mirepresim mendimin tuaj: