Viti 2012 në “kuturu review”

kuturuTent-a-tivë0 Comments

2012-ta po mbaron! Dhe në ditët që kanë ikur, ka mjaft ngjarje “kuturu” që duhen mbajtur mend. Ja lista bashkë me një koment të shkurtër. Kini parasysh që rënditja është kuturu, komenti është kuturu, dhe autori nuk mban përgjegjësi për detaje të rëndësishme të harruara e madje as për ngjarje më të rëndësishme se të mëposhtmet që nuk janë përmendur. Gati?

1. Emri “Zgjedhje”!

Fjala “zgjedhje” qëllon fjala më e përdorur në fjalorin publik shqiptar, sidomos pasi u shqiptua në anglisht edhe nga znj. Klinton. Për shkak të popullaritetit, zyra e gjendjes civile u detyrua ta listojë fjalën “zgjedhja” në listën e emrave që nuk lejohen me ligj t’ju vendosen kalamajve. Bashkë me fjalën “Integrim”. “Mjaftime” është futur në të njëjtë listë, që kur mbaroi lëvizja “Mjaft”. Ndërsa Haxhi Qamili vazhdon të jetë i lejueshëm!

2. Pavarësia e 100-të.

… u shoqërua me tortë!

3. Parashikimet për fundin e botës?

Sivjet kishim me bollëk. Dhe të gjitha marrin “shtrirje” nga rrjetet sociale. Por edhe këtë rradhë, “majat” bashkë me “të ultët” (!) nuk “qullosën” gjë. Kur u mor vesh që planetet s’po lëviznin vendit, dolën disa “teoricienë” që na thanë që nuk bëhet fjalë për fundin e botës, por për fundin e një epoke, dhe fillimin e një epoke tjetër për njerëzimin që pas miliona vjetësh do të kurorëzohet me sukses! E, gjithmonë, parashikuesve ju duhen “miliona vjet” që askush prej nesh të mos jetë gjallë e të mos verifikojmë ndonjë gjë. Të gjithë parashikuesit morën shumë publicitet. Ndërkohë, Jezusi, që na i ka lënë të shkruara parashikimet e tij, akoma s’është bërë “popullor” në media. (Detajet e parashikimeve të tij, gjendjen në Dhiatën e Re, për ju që doni të dini më shumë!)

4. Futbolli i mërzitshëm kur fiton gjithmonë i njëjti ekip?

Spanja fitoi Europianin e futbollit për të dytën herë rradhazi. Disa thanë, pas fitores, se futbolli bëhet i mërzitshëm kur fiton i njëjti ekip!

5. Fundi i botës prapë?

Gangnam Style arriti 1 miliard klikime në Youtube. Disa thanë që ky ishte fundi i botës me të vërtetë!

6. Pasurimi i Fjalorit

Parlamenti shqiptar kontribuoi me të paktën 50 fjalë të reja në pasurimin e gjuhës shqipe… sidomos në seksionin e të sharit krijues. Fjalët nuk janë të denja për t’u përsëritur ashtu “kuturu”.

7. Ish-spiunët?

Akoma vazhdon kërkimi për ndonjë grup shqiptarësh që s’kanë qënë të përfshirë me Sigurimin Komunist. Kërkimi sidomos për ata jo-ish që duan të kandidojnë për president.

8. Suksesi i censusit.

Censusi mbaroi me sukses. Tani, të gjitha grupimet (sidomos ato fetare) po i rinumërojnë ndjekësit për t’u siguruar që numrat janë ashtu si mendojnë ata e jo siç dolën në numërimin e deklaruar publik.

9. Armët e Skënderbeut

… erdhën në Tiranë. Nuk jam i sigurt çfarë do mendonte Skënderbeu po të shikonte ata policët që ruanin armët nga fotografitë e qytetarëve. Unë bëra sikur i pashë se turma po bënte fotografi pa leje.

10. Shpresa?

Ka akoma vend për shpresë. Ku gjendet? Kërkimi vazhdon!

E mirepresim mendimin tuaj: