Video Games

kuturuKrim-tari0 Comments

Herë pas here, kur kthehem nga puna, pyes familjen në telefon nëse ka nevojë të blej ndonjë gjë që na duhet për darkë. Në një nga këto raste, kur im bir mori telefonin për t’u përgjigjur, më tha: “Babi, na sill një playstation 3 se vetëm ajo na duhet”.

Popullariteti i lojrave të këtij lloji e ka zënë edhe djalin tim, megjithëse nuk kam marrë kohë për ti bërë reklamë. Por, si çdo gjë tjetër në terrenin social që ka krijuar Perëndia, lajmet “popullore” përhapen shpejt, në varësi të interest kolektiv të atyre që i shesin në rradhë të parë, e paskëtaj edhe të atyre që i blejnë.

Në vitin e fundit, kjo loja me video është bërë më popullore sesa na duket. Të kuptohemi, që në fillim, na duhet të themi që këto lloj lojrash nuk janë të reja. Ekonomia botërore prej vitesh ka qarkulluar miliona dollarë në lojrat me video –videogames.

Në tregun shqiptar, videogame-s u popullarizuan me lojën e Ylli Pangos. Duhet thënë që megjithëse u duk se presor Ylli humbi kur loja e tij doli në treg, në afatgjatë, ai ka dalë i fituar. Emri i tij identifikohet shpesh me një nga mbërtheckat e përmendura në lojë, dhe ai jo vetëm që loja-video i është popullarizuar por edhe ka shkruar libra mbi lojën e tij.

Sot më ra në dorë një nga këto libra. Vetëm për pak. Dhe vura re në disa faqe, janë botuar mesazhet e panumërta që i janë dërguar lojtarit të lojës nga të tjerë në mbështetje të ruajtjes së dinjitetit të tij të nëpërkëmbur nga kjo lojë. Mesazhet ishin me numër, me orë, dhe me tekst të paredaktuar. Po vrisja mendjen, pse nuk shkruaj edhe unë një libër, ku të botoj të gjitha mesazhet që më vijnë në telefon? A nuk do të ishte interesante? Nëse e lexoni këtë pjesë, edhe do ta blinit librin tim, më komentoni poshtë që të filloj transkriptimin!

Loja tjetër e famshme ishte ajo e Metës me Priftin. Kjo lojë, megjithë premtimet e mëdha, nuk ka dhënë sukses në drejtimin për të cilin ishte përgatitur. Por nga ana tjetër, ka pasur sukses në prodhimin e disa mijëra statuseve të ndryshme në Facebook. Dmth loja ka ndikuar në një farë drejtimi. Bie në sy psh. statusi ku thuhet “se Meta i rrëfehet Priftit por ky i doli hoxhë”, ose “kërcen prifti nga belaja” – ky statusi i fundit më duket se është nxjerrë jashtë kontekstit se në rastin e Priftit tonë, nuk duket se po kërcen kush. Ka plot të tilla. Por nuk po marr kohë që s’e kam për të përsëritur ato që janë thënë e stërthënë.

Kuptohet, që dikur do të dilnin kundërsulme videogame të kësaj të fundit. Edhe sapo kanë filluar. Thonë që janë edhe disa të tjera që do të jenë interesante për publikun. Unë mezi po pres. Si publik, jam i interesuar për të parë e dëgjuar (megjithëse zakonisht këto lojrat video shqiptare nuk dëgjohen mirë!) gjëra interesante!

Në këtë temë, duket se ka një videogame të rregjistruar në kryeministri në datën 21 janar, që dikush, e ka marrë në pronësi. Mendoj, me aq sa më kap truri mua, që kjo loja e fundit, po mbahet fshehur kinse të na rrisë kuriozitetin. Në momentin kur s’ka më lojra interesante mjaftueshëm për publikun, atëherë hidhet në treg një lojë tjetër, e një shkalle “ma t’naltë”.

Kështu thonë të gjitha studimet mbi videogame-s: ata që janë të ndikuar e të tërhequr nga këto lojra, gjithmonë duan më shumë, më të përgjakshme, e më të rrezikshme.

Zot, na ruaj trurin! Ose mos na lër të blejmë PlayStation 3! Ti, bir, prit edhe pak sa të rritesh!

E mirepresim mendimin tuaj: