Ku i pate sytë Top-Channel?

kuturuKritike, Media, Uncategorized1 Comment

Top-Channel reagoi me disa kronika të zgjeruara rreth historisë së dhunës mes muzikantëve modernë shqiptarë, fill pas konfliktit me armë në Prishtinë mes Noizy-t dhe Cozman.

Të dy artikujt, janë titulluar artistikisht bukur. Mund t’i lexoni në këto linqe: Të vritesh për Noizyn dhe Stresin dhe Modeli i keq i një gjenerate.

Në të dy materialet, vihet re një kritikë mbi modelin që iu transmetohet të rinjve përmes dhunës së transmetuar nga këto këngëtarë dhe nga muzika e tyre.

Po veçoj një paragraf nga artikulli “Modeli i keq i një gjenerate”:

“Kush dëgjon sot Noizyn, Stresin, Cozmanin e me radhë, jo vetëm që s’kupton asgjë, por nuk mund të jetë as anarkist, pasi në thelb tekstet e këngëve të tyre janë mesazhe boshe për një rini që fatkeqësisht as vetë nuk e di se ç’është arti i vërtetë i sjellë nëpërmjet mesazhit të tekstit të një kënge.”

Eshtë një paragraf tronditës. Sepse këtë lloj muzike, që paragrafi nuk e quan as art të vërtetë, në Shqipëri, e ka bërë të famshëm, në mes të shumë mediave të tjera, vetë Top-Channel. Madje, edhe në këtë moment kritike, media shqiptare, akoma e trajton dukshëm rrugaçërinë e kësaj paçavureje si një art.

Miku im, Ilir Vreta, e ka shprehur shumë mirë këtë pikëpamje, në një postim në profilin e tij në Facebook.

Ku i pate sytë Top-Channel????!!!

Nuk e besoja dot që në lajmet kryesore Top Channel kishte 4 kronika që flisnin për hip-hopin, majde po fërkoja sytë mos po ëndërroja. Dhe supriza më e madhe ishte që tani ky TV kishte vënë re se çfarë i bën muzika MEDIOKRE shoqërisë. Të gjitha ngjarjet i kishte rradhitur në mënyre kronologjike, se si kanë ndodhur që nga fillimi i Hip-Hop-it në Amerikë.
Por një gjë e kishin harruar!
Kishin harruar të na tregonin kush na i prezantoi ne këta (rrepera, Hip-Hopista). Unë nga TV i njoha, nga andej erdhën e u futën në veshët e gjithë Shqiptarëve, ashtu siç po vjen çdo i ashtuquajtur “videoklip muzikor”, –  them i ashtuquajtur pasi 90% janë ç’veshje me dashje për tre apo 4 minuta, dhe konkurencë kush e bën më bukur dhe kush heq më shumë.
Ashtu si telenovelat me tradhëti, smirë, inat, intriga, e çfare s’kanë brenda, në gjuhë nga më të ndryshmet – unë nga TV po i shikoj, nga këto TV që po ankohen tani. Në fakt më e keqja është se ankesat më shumë i kanë për inate personale se për të ndihmuar shoqërinë që e bombardojnë me ç’t’ju vijë për mbarë!

E meqë këto rrjetet sociale të japin mundësinë të thuash çfarë ke në mendje, unë këtë kisha për sot. KU I PATE SYTE DJE TOP CHANNEL QE PO ANKOHESH SOT?

Në mbyllje:

  • Media shqiptare është praktikisht pronë e dikujt që vendos çfarë transmeton e çfarë kritikon. Por, publiku, përtej konsumit, duhet të jetë gjeneratori që i jep energji medias. Ka ardhur koha, në mos ka kaluar, që tashmë publiku të organizohet për të reaguar ndaj keq-kulturimit të Medias. A mundet të fillojmë të reagojmë?
  • Së shpejti në kuturu do të ofrojmë një listë me sygjerime reaguese.

  • Ka ardhur koha gjithashtu që pronarët e medias të reflektojnë mbi gjurmët që lihen nga produkti i tyre. Në fund të fundit, ata vetë, do të ndikohen një ditë prej helmit që kanë hedhur në ajrin e të gjithëve…
  • Zëri i njerëzve si Iliri shpresoj të dëgjohet më shumë. Ai vetë nuk është thjesht spektator, por prodhues mediatik. Ndoshta një ditë, do ta thërrasim Ilirin nga Norvegjia, për të na ndihmuar se si të kemi Media që prodhojnë vlerë.

One Comment on “Ku i pate sytë Top-Channel?”

  1. Pingback: Kur bërtet media… | Kuturu.org

E mirepresim mendimin tuaj: