Këshilla të mençura për djalin: Mos u bëj tifoz!

kuturuTent-a-tivë0 Comments

I kam thënë djalit disa herë: mos u bëj tifoz! Edhe jam përpjekur t’ia shpjegoj. Se nuk e kam fjalën të mos shikojë ndeshje. Unë, po të kisha mundësi, do të shikoja të gjitha ndeshjet e mundshme të futbollit, përfshirë edhe ndeshjen e kalamajve të lagjes! As nuk e kam fjalën që ai të mos pëlqejë ndonjë skuadër a futbollist. Unë pëlqej disa! As nuk e kam fjalën që të mos ketë emocion e ankth kur shikon të luajë skuadrën e tij të zemrës, sepse edhe kjo “është brenda rregullave të lojës” kur pëlqen një skuadër. Madje nuk e kam fjalën as që të mos e ngrejë zërin në mbështetje të skuadrës së tij – megjithëse unë vetë e përjetoj ankthin duke mos folur fare, e zakonisht nuk lëviz nga vendi kur luan e shënon skuadra ime! Por ai ka lirinë ta përjetojë ndryshe.

Shkurt, kur i them, të mos bëhet tifoz, e kam fjalën… të mos bëhet si këta të fotografive shoqëruese! Këto fotografi ilustrojnë atë që kuptoj unë me tifoz, ose ndryshe, kur je ndjekës i futbollit që e kalon cakun e së pranueshmes, kur bën gjeste që s’kanë kuptim e nuk përcjellin asnjë vlerë (sportive jo e jo, por as njerëzore!). E kam fjalën, që të ruaj djalin tim të mos kalojë cakun e së arsyeshmes, ku ndeshja nuk është më ajo ndeshja që luhet në stadium, por është një përleshje egzistenciale (gati!) që lidhet me vështirësinë për të pranuar një tjetër ashtu siç është, me pëlqimet e tij të natyrshme, por që s’më pengon njeri të pranosh një tjetër ashtu siç është. Ndërsa kur njerëzit e vendosin skuadrën e tjetrit “në arkivol” ose e “mishërojnë” me një gomar, atëherë, e ka kaluar cakun e së pranueshmes… Ndaj një festë sportive, kthehet në një ambient ku tjetri, është armik, e jo rival. Por unë dua që djali im të mos ketë armiq, e ndaj, i kam sygjeruar të mos bëhet tifoz… Të presim se si do të shkojë kjo punë…

 

Alt Text

E mirepresim mendimin tuaj: