Nuk e ka fajin spitali…

kuturuTent-a-tivë0 Comments

E kam fjalën për video-skandalin që ka alarmuar shtypin e përditshëm, ku disa të rinj abuzojnë seksualisht me një të vajzë.

Për ju që thjesht lexoni titullin, po bëj një sqarim të shpejtë: Autoritetet menaxhuese të spitalit kanë faj përderisa një abuzim i tillë ndodh brenda ambienteve, të cilave iu kanë dalë ata për zot, në emër të shtetit. Dikush nga brenda asaj dhome duhet të japë llogari! Pikë.

Por unë dua të shkojmë te rrënjët e fajit – nuk e kam fjalën vetëm për të gjetur fajtorët!

Në parantezë, nga gjithë reagimet e të skandalizuarve që lexova sot, duke përfshirë edhe një koment të mirëarsyetuar nga Mira Kazhani te Gazeta Dita, nga pothuajse të gjitha, e vetmja zgjidhje na ofrohet një thirrje (pothuajse në tym!) drejtuar shoqërisë (kush është shoqëria?) për të mos lejuar (çfarë të mos lejojmë?) më perversitete të tilla…

E kuptuam thirrjen! Po tani?

Unë kam ca thirrje shumë më specifike, drejtuar personave konkretë, duke shtuar edhe arsyetimin përkatës.

Le t’ia fillojmë:

E para, ju lutem, strukturave të bashkisë që mbulojnë reklamat në ambiente publike në Tiranë a kudoqofshin, mos lejoni të shfaqen në publik reklama me përmbajtje seksuale! Jo vetëm që ofron një mbrojtje të shëndetshme për fëmijët (ç’kusur ka djali im të shikojë reklama për klube nate që ofrojnë striptizë?!), por gjithashtu vendosin një limit për atë që është e pranueshme në publik! Nëse iu mungojnë ligjet, rregullojini! Nëse ju mungojnë juve standardet, mblidhni prindër të përgjegjshëm që t’ju ofrojnë ndihmë. Unë mund t’ju gjej të paktën 10 prindër që mund të ofrojnë ndihmë pa asnjë pagesë!

E dyta, ju lutem prindërve që kanë fëmijë të vegjël: mos i lini fëmijët përpara ekranit të TV-së vetëm. Eshtë e stërprovuar tashmë që ka mjaftueshëm lakuriqësi në TV në çdo orar të ditës, sa dukshëm rrezikohen fëmijët të shikojnë gjëra që nuk janë të përshtatshme! Nga çfarë rrezikohen, do thoni ju? Unë mendoj që rreziku vjen nga fakti që lakuriqësia e tjetrit duket një standart i pranueshëm; madje i domosdoshëm! A ke ndonjë gjë për të treguar nga trupi yt? Tregoje në TV. Tregoje kujt të duash e kur të duash! Të rriturit kanë liri të zgjedhin, të miturve jua detyron zgjedhjen, duke jua bërë të pranueshme!

E treta, ju lutem, të gjitha kanaleve TV në Shqipëri, sidomos atyre që transmetojnë videoklipe muzikore; kufizoni transmetimin e këngëve me mesazhe seksuale në orare të përshtatshme. Jam i sigurt që do të jetë e vështirë tashmë të përcaktosh kufirin në këtë fushë – ka shkuar shumë larg pasqyrimi i shtrembër i seksualitetit në ekran; pjesërisht sepse disa nuk bëjnë muzikë por bëjnë “tregim trupi”, por edhe sepse deri tani askush nuk i ka kufizuar… Imazhet seksuale nëpër këngë nxisin një perceptim rreth seksualitetit, që ka në thelb përfitimin egoist seksual; dmth çfarëdo që më pëlqen mua, duhet ta kem; madje edhe kur nuk kam miratimin e personit tjetër! Ndaj iu duket e natyrshme, e krejt pa komplekse atyre të rinjve, që të abuzojnë me shoqen e tyre, kur ajo është pa ndjenja!

E katërta, ju lutem, ju redaktorëve të shtypit shqiptar, hiqni dorë njëherë e mirë nga “lajmet” rreth Kardashianëve e të tjerëve të ngjashëm që s’kanë punë tjetër veç ekspozimit të trupit. Nëse nuk i hiqni, të paktën hiqni dorë nga “moraliteti” kur përballemi me monstruozitetet si videoja e fundit! Ose zgjidhni të hiqni dorë nga Kardashianët, ose hiqni dorë nga moraliteti i rremë. Rrugë të mesme nuk ka! Ju, me siguri pretendoni që i jepni ato lajme vetëm për të rriturit, por duhet të vini re që janë të rriturit që mësojnë të vegjlit, edhe turra-vrapi drejt së keqes nuk mbahet më…

E pesta, ju lutem ju drejtuesve të QSUT-së, përpara se të jepni dorëheqjen (nëse hetimet zbulojnë kohën e saktë kur ka ndodhur ngjarja), të siguroheni që ata sekserët e vdekjes, që s’kanë asnjë grimë moraliteti e njerzillëku – që bie në pah vetëm nga fytyra e tyre qesharake përballë një “të vdekure” që ngacmohet seksualisht – ju lutem, gjeni mënyrën që të mos shfaqen më në spital. Nuk e di se si – ndoshta duke ju gjetur lidhjet e tyre me infermierë, rojtarë, a doktorë – por veç gjeni një mënyrë që të mos shfaqen më aty ku mund të vdesin njerëz…

Ndaj thashë që nuk e ka fajin spitali…

E mirepresim mendimin tuaj: