Sikur s’jetoj në vendin tim!

kuturuJeta Shqiptare, Politikë, Rrëmujë0 Comments

Poezitë janë një formë të shprehuri që ndonjëherë duket aq “poetike” sa nuk ka lidhje fare me realitetin. Por, qartazi, janë ca shprehje poetike që shkojnë aq bukur në skajet e artit po aq sa ç’shprehin qartazi edhe realitetin ku jetojmë… Ja një poezi e tillë që ishte botuar sot në gazetën SHQIP me kërkesë të vetë autorit, Dritëro Agollit…

Sikur s’jetoj në vendin tim

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Një një qytet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.
Cuditem pse kështu më duket shpesh,
Kur s’ka njeri shtëpia kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska-flluska ma bën jetën.
Më ngjan sikur edhe strehët derdhin helm
Helmohemi çdo çast me njëri-tjetrin…
S’e di nga vjen ky helm e s’kam ç’të them,
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin.
Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet,
Pastaj do tundet toka në tërmet
Dhe Djalli i Madh do qeshë e do zgërdheshet.
I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetëra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvisht
Më bën të qaj si nxënës prapa derës.

Dritëro Agolli, 15 Dhjetor 1996

E mirepresim mendimin tuaj: