Vëzhgime nga një sherr në këto ditë të nxehta vere…

kuturuKrim-tari0 Comments

Gjithë këto ditë njerëz po vriten; gra po qëllohen nga burrat në vetminë e sherrit në shtëpinë e tyre e përpara gjykatave, vajza nga Vlora po ngacmohen nga djem nga Fieri, vëllezër nga Kruja po vrasin njëri tjetrin. Të gjitha këto po ndodhin, e unë nuk jam i mërzitur aspak që s’kam qënë dëshmitar! Më duket vetja i ndryshëm nga shqiptarët e tjerë që mblidhen rreth sherrit, por gjithsesi, edhe njëherë, nuk jam “xheloz” që s’kam qënë dëshmitar.

Por sot, më erdhi rradha të dëshmoj një skenë. Me pak fjalë, unë po shkoja te vendi ku blej sanduiç për drekë. Një polic rrugor (krejt ndryshe nga ai që kam përshkruar më përpara) po plotësonte gjobat për makinat që ishin parkuar në anën e gabuar të rrugës, dhe një djalë i ri, rreth të 25-tave po punonte me makinëmbajtësen e tij në shërbim të policisë rrugore, për të ngarkuar një makinë. Nga kafeneja ku ishte ulur, si duket, shoferi i makinës, vuri re skenën, dhe u hodh në sulm me grushta ndaj djalit. Skena zgjati 15 minuta. Njerëzit dolën në rrugë. Zhurma, kërcitja e druve mbi njëri-tjetrin, hundë të lara në gjak, u dëgjuan e u panë. E mora sanduiçin por oreksi më kishte ikur.

Pamjen e kam në tru. Por vëzhgimet duhet ti shkruaj sepse i harroj:

* Polici rrugor, ishte shumë indiferent në histori. E vura re që u përpoq në mënyrë kaotike të reagonte, por ishte reagim shumë i vaktë. Nuk po prisja prej tij që të hynte në sherr me grushta, por, po prisja që të thërriste një autoritet për të ardhur për të ndërhyrë. Mesa vura re, ai nuk denjoi të thërriste njeri. Policia u thirr nga i zoti i Fast-Food-it që u shqetësua po aq sa unë.

* Policia erdhi… kur gjithçka kishte mbaruar… në një zonë të qendrës së Tiranës. Shumë vonë. Ai që filloi sherrin kishte ikur. Bashkë me makinën e tij.

* Si është e mundur, që dikush, vë dorë mbi një autoritet zyrtar, me kaq lehtësi? Pyetje retorike!

* Ai seksion i rrugës ka policë rrugorë dhe makinambajtëse disa herë në ditë. Prapë, rruga nuk pastrohet asnjëherë, por edhe policët nuk janë të shqetësuar për lirimin e rrugës. Më duket se është një burim fitimi i lehtë për ta… edhe kjo mund të ketë lidhje me qytetarë të zemëruar që reagojnë ashpër.

* Nën ritmin e lajmeve të fundit të ditës, unë po mendoja: “Largohu nga vendi sa më shpejt… sepse duket se të gjithë, pasi zihen, shkojnë e armatosen e pastaj kthehen prapë.” Deri tani s’kam dëgjuar që zënka u kthye… edhe shpresoj të mos kthehet!

* Kur ndodh diçka e tillë, në mes të Tiranës, çfarë mund të ndodhë diku tjetër?

* Cfarë po pijnë shqiptarët që reagojnë në këtë mënyrë? Kështu mendova. Edhe pastaj piva ujë. Vetëm ujë!

* Kush e nxit këtë çmenduri kolektive dhe kur do të mbarojë? Kur?

E mirepresim mendimin tuaj: