Rrugës për në Korçë

kuturuPub-istikë0 Comments

Nëse vëzhgon, mund të mësosh shumë për kulturën e një grupi njerëzish, vetëm duke udhëtuar me një grup njerëzish në hapësirën e ngushtë tetë-vendëshe të një furgoni. Ja mësimet e mia, nga një udhëtim vajtje – ardhje nga Tirana për në Korçë.

Rradha e furgonëve. Si i pamësuar që jam, mendova, që kur të shkoj te furgonat, shoferët do të jenë vënë në rradhë bashkë me furgonët e tyre, dhe normalisht, i pari niset i pari, i dyti niset pasi ka ikur i pari e kështu me rradhë. Mund ta përfytyroni surprizën time kur u përballa me 10 njerëz, që flasin një dialekt të ndryshëm nga i imi, që mu turrën sikur ju kisha ndonjë borxh, edhe e vetmja mënyrë për ta shlyer, sidomos një ditë përpara fundit të botës, ishte që të udhëtoja me furgonin e tyre.

– Po s’ka rradhë këtu? Kush ikën i pari?

– E,  more djalë, mirë e ke ti…

U mor vesh kjo punë. U nisa, jo me të parin, por me atë që kisha “kismet”!

Komuniteti. Mëson shumë për njerëzit kur je ulur afër tyre (i detyruar) dhe i dëgjon të flasin për hallet e tyre, për jetën. Në katër orë, mësova për një burrë që po kthehej i shëruar në shtëpi, pas disa vizitash në Tiranë. Mëson shumë për zilet e telefonave që zakonisht këndojnë një lloj muzike, që s’i shkon fare për shtat personit dhe moshës. Një burrë 60 vjeçar (afërsisht) ka një zile me një këngë të Lady Gaga! Dhe mëson gjithashtu, që një shofer korçar, e bën rrugën Korçë – Selanik me vetëm 5 Euro. Shënim: Ky çmim, për ju që jeni të interesuar, është i pa verifikuar saktësisht. Madje, edhe në furgon, kishte debat për këtë detaj!

Fuqia e Komunitetit. Aty nga ora e parë e rrugës, një nga bashkëudhëtarët, e zuri një gjumë i thellë e pak si i papritur. Dhe siç ndodh rëndom, kur të zë gjumi i thellë, u përhap në heshtjen e furgonit, një gërrhimë e thatë, që u përplas në metalin mbi kokat tona e na u kthye drejtpërdrejt në daullet e veshit tonë, përmes dyllit që s’ishte ngacmuar aty prej ditësh (ndoshta!). Mendimi im i parë: Mos, si do t’ia bëj tani të vazhdoj të mendoj kur tjetri filloi gërhitjen?

Por, brenda sekondës, shoferi bashkë me disa të tjerë, nuk e zgjatën shumë e i thirrën “ëndërrimtarit”. “Zgjohu, bre, lalkë, se na trembe!”

U zgjua! Dhe pas qeshjes, ra prapë heshtja e zakonishme e orës së parë të udhëtimit. Unë u qetësova. Tani e dija se po të gërhiste prapë dikush, “komuniteti” i furgonit do t’i thërriste “fajtorit” dhe do të binte prapë qetësia. Në qetësinë e momentit, po mendoja, sa mirë të kesh një komunitet, që s’ta përton të të tërheqë vëmendjen, kur ia fillon “gërhitjes” që të prish atmosferën e grupit? E kam fjalën për gërhitjen e karakterit!

Për bukuritë që na i ka krijuar Zoti e dukshëm shfaqen asaj rruge, kanë folur të tjerët përpara meje…

E mirepresim mendimin tuaj: