Reportazh nga Durrësi!

kuturuPub-istikë0 Comments

Ose afër detit, afër ‘getos’, afër mbretit…

Parkova në anë të rrugës diku afër urës së madhe që kryzëzon rrugën e plazhit, hyrjen për në Durrës dhe autostradën për Tiranë. Ndalova për të pirë një kafe. Sipas pritshmërisë sime doja një vend ku ka kafe, ku shikohet deti, ka lidhje ëireless free, dhe ka pak qetësi. M’u desh të ecja përgjatë bregut të detit 20 minuta për të arritur tek Hotel Adriatik që të plotësoheshin disa prej pritjeve të mia minimale. Këtu edhe jam ulur tani që po shkruaj.

Ka një mur të vogël ndarës mes tavolinave të bar-it dhe njerëzve që janë ulur në shezlong e atyre që pushojnë në rërë. Zërat e njerëzve vijnë të përziera bashkë si një lloj gumëzhime. Nga njëra anë e “adriatikut” këndon një këngëtar nga Kosova që po i lutet Zotit për shi, nga ana tjetër këndon Rihanna që po mediton mbi vrasjen e një njeriu. Hoteli ku jam ulur nuk ka muzikë.

Rrugës për të ardhur deri te vendi ku jam ulur, eca përmes një shtegu këmbësorësh, të shtuar – shtegu shtrihet mes rërës së plazhit dhe kafeneve e restoranteve ngjitur me njëri tjetrin nga ana tjetër. Dikush shet rroba e materiale të tjera plazhi në anë të rrugës. Shezlonget janë shumë afër njëri – tjetrit. Njerëzit në rërë janë shtrirë afër gjithashtu. Restorantet kanë të gjithë emra visesh nga Kosova. Tek tuk del ndonjë emër italian.

Dëgjova një zë që po këndonte në plazh një këngë nga kosova: “këngëtari” sapo gjeti shokun e tij në mes të zallamahisë së njerëzve dhe e përshëndeti me një këngë. Ndërkohë, një tjetër “këngëtar” ia filloi melodisë nga ana e detit. “Xhamadani vija vija, është Kosova është Shqipëria” përsëriti ai disa herë duke i ftuar pushuesit të blejnë ndonjë misër që po i pjek ai vetë, në emër të miqësisë Shqipëri-Kosovë…

Unë po vazhdoj të pij kafen time – që është e mirë por pak e shtrenjtë. Ndoshta pagova një lloj qetësie bashkë me kafen.

E përpara se të zbrisja nga makina për të pirë kafen time në breg të detit dëgjova këtë dialog në radio:

Dëgjuesja e radios, shqiptare që jeton në Gjërmani: “Dëgjova që në Durrës ka rënë epidemia… me viroza…”

Drejtuesi i programit në radio: “Jo, ç’ne! Nuk besoj! Aty ka pasur viroza gjithmonë, jo vetëm sivjet! Por nuk na gjen gjë ne se kemi një imunitet të paparë…”

 

E mirepresim mendimin tuaj: