Rastësisht ishte moment… dhe kam mbetur pa koment!!!

kuturuKulture Shqiptare, Viz-Kuturu0 Comments

Fjalët në titull, janë marrë nga një këngë shqiptare e kënduar nga Shpat Kasapi dhe Blero. Të dy këngëtarët e njohur në Shqipëri këndojnë këngë romantike dashurie pa masë.

Dhe unë nuk befasohem nga muzika e tyre. Por ishte “rastësisht një moment, kur mbeta pa koment” (duke huazuar fjalët e tyre), kur para dy ditësh, po dëgjoja bashkë me djalin 10 vjeçar CD-në që shoqëron Edukatën Muzikore të klasës 5. Pasi kishim dëgjuar himnin e flamurit, edhe disa këngë të tjera për fëmijë, u dëgjua zëri i një gruaje që thotë: “Mësimi 12: Krijojmë përmes ritmeve” edhe pastaj fillon kënga.

Dëgjoni tekstin e këngës në video për të kuptuar më vonë komentet e mia e se pse “mbeta pa koment”:

Dhe që të më dalë hutimi nga befasia, më duhen përgjigje për këto pyetje:

* A e kupton autorja e tekstit, që kur dëgjon një këngë, nuk mund të dëgjosh vetëm ritmin, edhe të lësh mënjanë përbërësit e tjerë të këngës, si tekstin psh?

* Meqë teksti vihet re natyrshëm, si t’ia shpjegoj djalit tradhëtinë (e supozuar) të një shoku me të dashurën (te supozuar gjithashtu se djali im është vetëm 10 vjeç), pasi ta dëgjojë këngën kur bën detyrat e shtëpisë?

* Mesa kuptoj unë, rrjedha e natyrshme e jetës dashurore do të ishte që djali njëherë të rritet, pastaj të dashurohet me dikë, pastaj të dy të rriten mjaftueshëm sa të kuptojnë tradhëtinë, e pastaj të merren me pasojat e tradhëtisë. Si t’ia shpjegoj unë djalit sistemin kur ai akoma s’ka mësuar hapat e parë të procesit?

* Në cilën botë jemi, ku fëmijët 10 vjeçarë ekspozohen me të tilla fenomene… e jo nga youtube e TV ku prindërit mund të neglizhojnë e ti lënë fëmijët pa kujdes, por kur ekspozohen në një tekst shkollor, ku supozohet i natyrshëm është që autorët e një teksti shkollor zotërojnë një nivel intelektual që duhej ti kapërcente këto sfida në përzgjedhjne e materialit mësimor. Si ndodhi, si ka mundësi që një autore tekstesh librash shkollorë përzgjedh këtë këngë për t’ju mësuar ritmin nxënësve të klasës së pestë?

Sinqerisht, kanë kaluar shumë momente që kur e dëgjova këngën për herë të parë, por akoma jam pa shumë koment!!!
Po pres përgjigje nga autorët e tekstit dhe nga ndonjë zyrtar tjetër që ka për detyrë të kontrollojë këto tekste. Por edhe ti o lexues, nëse ke komente, i pres edhe nga ti!

E mirepresim mendimin tuaj: