Pyetja 1 milion $

kuturuTent-a-tivë0 Comments

Unë lexoj, me raste, ndonjë gazetë të përditshme! Sepse më pëlqen të informohem! Nuk është që informohem shumë, por kjo është një temë tjetër…
Edhe kur lexoj, pjesërisht sepse është mëngjes – dhe unë nuk vdes shumë për mëngjeset, pjesërisht sepse gazetat nuk fokusohen te humori, nuk më ndodh të qesh me ndonjë lajm! Shumica e lajmeve janë për të vënë kujën: nga fokusi kriminalistik i tepruar (vrasje, vetëvrasje, politikë, korrupsion, mashtrim, tendera të vjedhur!!!), por edhe nga mënyra se si janë shkruar! Ndonjëherë duket sikur ata që shkruajnë mezi ia kanë dalë të afrohen te katedrat e gazetarisë!
Por, që ti bie shkurt, sot qesha!
Qesha pak me zë. Sikur komshiu në tavolinën përballë të kishte qënë një njeri që zgjohet 100% që në orën 8 të mëngjesit, do ta kishte dalluar që po qeshja me gazetën. Sepse qesha me mjaftueshëm zë.
Arsyeja ishte fjalia e mëposhtme, e thënë në kontekstin e një diskutimi për ligjin e ri të lojërave të fatit. Zv. ministria po argumenton që gjithkush që gjendet në çertifikatën familjare të lojtarit të fatit (lojtarët e fatit, është një togëfjalësh që duhet trajtuar një herë tjetër!). Dhe pastaj ligjvënësi bën pyetjen që më bëri për të qeshur:
“Mos mendoni se po u lihet shumë pushtet grave mbi lojtarët e lojërave të fatit me këtë pjesën e familjes?!”
Hahahahahahahahahahahahahahah!!!!
E dëgjoni zërin tim?
Domethënë ligjvënësi e ka vënë re që vetëm burrat luajnë! Gratë e tyre nuk janë dakord!
Domethënë ligjvënësi e ka me merak këtë kontrollin e gruas së një lojëtari fati, mbi lirinë që duhet të ketë ky i fundit për të harxhuar paratë e familjes në lojëra fati.
Domethënë ligjvënësi e ka parasysh që në këto lojërat e fatit, vetëm humben para; përndryshe përse gratë do të jenë kundër? Zakonisht gratë do të ishin pro nëse burri do të luante dhe do të sillte në shtëpi thasët me para!
Mësa kuptova, që të bëhem serioz, burrat e fatit, tani e prapa do të jenë në rrezik! Përpara se ndonjë ligjvënës të marrë iniciativën, unë po i thërras në një protestë publike, të gjithë burrat që ndjehen të rrezikuar nga kërcënimi ligjor se gruaja, tani e prapa, me çertifikatë familjare në dorë, do të shkojë te dera e fatit (lojërave të fatit!) dhe do ta nxjerrë burrin nga aty, për veshësh!
Protesta duhet te fillojë sa më shpejt!
Ndryshe, deputeti nuk mund ta thotë fjalinë e mësipërme dy here, sepse do të qeshin shumë më tepër njerëz se unë…
Burra të fatit: kini kujdes nga kërkesa e gruas për të nxjerrë çerfikatë familjare! Se ku i dihet…

E mirepresim mendimin tuaj: