Po prindërit, kush i pushon nga puna?

kuturuJeta Shqiptare, Krim-tari

Mësuesja rrahu nxënësin. I dha një shpullë.

Vëzhgime paraprake:

video dallohet që mësuesja e godet nxënësin sepse nuk ka shkruar mirë gërmat! Dmth goditja nuk vjen prej prapësisë së një nxënësi, prishjes së orës mësimore, a prej mosbindjes… megjithëse edhe në këto raste, goditja nuk do të ishte zgjidhja e pranueshme e situatës.

Shokët e nxënësit të goditur e perceptojnë ngjarjen si të panatyrshme. Prandaj kanë marrë guximin që ta filmojnë e ta publikojnë videon. Atyre nuk iu duket normale që mësuesja e trajton nxënësin në atë mënyrë. Ndoshta (megjithëse ky është spekullim) ata e kanë parë këtë skenë disa herë. Kështu kanë bërë gati kameran për ta filmuar!

Ministria e Arsimit e ka pezulluar mësuesen nga puna. Askush nuk ka dalë kundër vendimit – e kam fjalën askush nga partitë politike, shoqatat e arsimit, opozita, BE-ja, OKB-ja, të përndjekurit politike, shoqata e aktorëve dhe kllounëve, debatikasit, të papunët, kafexhinjtë…

Askush!

Përveç prindërve të fëmijës! Të cilët dolën sot në protestë për rikthimin e mësueses në punë. Shikoni videon:

“I kemi thënë vetë që t’ia japë ndonjë shpullë kur prish punë!”

“Edhe ne te shtëpia jua japim ndonjë shpullë… jemi të mërzitur edhe ne te shtëpia jonë me nxënësit tonë, e fëmijët tanë…”

Nuk ka vend për asnjë koment tjetër shtesë! Thjesht desha ta shkruaj këtë copë realitet siç e pashë në video… edhe ndjej një lloj lehtësimi shpirtëror që ia thashë dikujt… ashtu siç është. Edhe shpresoj që të paktën këta prindër, të mos guxojnë të kërkojnë azil diku në Europë, sepse mund të përfundojnë në burg, kur të shkojnë te shkolla europiane e t’i thonë mësueses: “kur të jetë e nevojshme, jepua ndonjë shpullë… se ashtu bëhen njerëz këta!!!”

Kam veç një pyetje: mirë mësuesen e pezullon Ministria e Arsimit, po prindërit, kush i pezullon nga puna?