Ndërmjet: Midis së premtes dhe së shtunës

kuturuTent-a-tivë0 Comments

Dërgova zile. Mora një konfirmim që zilja kishte arritur përmes Facebook-ut. Sinjali i parë i së premtes që bota ka ndryshuar shumë që nga koha kur telefoni s’dukej shumë i rëndësishëm gjashtë shtatë vite më parë. Bota.

E mora dokumentin te noterja. Pagova një mijë lekë më pak. Nëse s’ke, s’ka problem! Kështu më tha ajo zonja sapo mbylli telefonin, pasi e kishte tepruar duke i thënë disa herë se kishte një klient te tavolina. Unë po shikoja pikturat pa shije, por të kombinuara me njëra tjetrën në murin e zyrës noteriale. Pritja.

Besimi te dikush, ndonjëherë, nuk varet nga fjalët e tij. Fjalët, megjithëse janë bazë e mirë komunikimi, prapë, në kushtet e një boshllëku të natyrshëm mes palëve, nuk përçojnë mesazhin që duket se mbartin në pamje të parë. Përreth ka shumë fjalë e pak besim. Dhe në përpjekje për të rritur besimin, natyrshëm, kur niset mbrapsht puna, atëherë rriten fjalët… me zë të lartë! Kush ngre zërin më shumë, krijon besim! Dhe e kundërta, kush krijon besim, me siguri ka ngritur zërin diku… Sa do të doja të isha i lindur i ngjirur, me kapacitetin për të mos folur, nëse do të ishte gjithmonë e përherë kështu. Besimi!

Kur je duke ecur në rrugë që i njeh që prej fëmijërisë, nuk ke nevojë për busull. Busulla të kthehet në një lodër luksi, krejt e panevojshme. Por ka probleme kur mendon që i di rrugët, por realisht nuk i di; e kur ke nevojë për busullën se po shkon në drejtimin e gabuar, por të duket sikur busulla është lodër e panevojshme kalamajsh. Tragjike! E ngjashme me thirrjen e Ardit nga Durrësi, që atyre që kanë shkruar komente tallëse për të në videon e tij në Youtube, ju ka lënë Zotin si shpagim. Tragjike për vërtetësinë e autorit të hakmarrjes, por në të njëjtën kohë për realitetin e dhimbshëm të një njeriu me po aq vlerë sa gjithë të tjerët… Tragjike!

Ata këndojnë një këngë për tradhëtinë, dhe autori vetë, tradhëton duke kënduar këngën. Të gjithë kanë të gjitha arsyet për replikë, por, replika më e mirë fillon përpara se të kesh kryer aktin. Pasi e ke kryer, të ngelet vetëm falja. E falja, është një virtyt i lartë pikërisht sepse është ilaçi i vetëm për shërim, por shumë e konsiderojnë si rit fetar të pavlerë. Falja ka peshë, sepse ne të gjithë e kryejmë atë që s’duhet… edhe kur s’duam! Këngë!

Të gjitha marrin peshën e duhur, kur, në kryqëzimin e të premtes me të shtunën, nga larg, dëgjohet zëri i një kënge alla-soj-popullore për një dasëm diku përtej. Të paktën nesër është e shtunë! Pushim!

E mirepresim mendimin tuaj: