Po Opinion-Bërësit, kush i voton?

kuturuFushate Elektorale, Politikë0 Comments

Në ditët e zgjedhjeve – por jo vetëm – ata që shikojmë më shumë nëpër ekrane janë një grup opinionistësh që flasin për çdo gjë. Kuptohet, ata ndjehen rehat të flasin sepse çfarë do që të thonë, dikush do t’i ftojë për të folur.

Një detaj që vihet re qartë, është që këta opinion-bërësit kanë mendime të ndryshme. Disa flasin për një anë, e të tjerë për një anë tjetër. Disa shprehin argumente, e disa kundër-argumenta.

Unë, shpesh vras mendjen: kush e gjykon vërtetësinë e asaj që thonë këta opinion-bërës?

Një sqarim përpara se të vazhdoj: unë pëlqej të dalloj vërtetësinë e asaj që dëgjoj. Kohët e fundit sidomos, sa herë që dëgjoj njërën palë të flasë, përpara se të formoj një gjykim, preferoj të dëgjoj edhe palën tjetër. Për shkak të kësaj prirjeje, e vras mendjen edhe për vërtetësinë e opinion-bërësve!

Le ti kthehemi pyetjes: kush e gjykon vërtetësinë e opinion-bërësve?

Në raste zgjedhjesh, unë mendoj që opinion-bërësit duhen gjykuar po nga një opinion – nga opinioni i votuesve. Kur disa prej atyre kanë argumentuar dukshëm në favor të një pale ose një tjetër, atëherë, zgjedhjet tregojnë edhe gabueshmërinë e opinioneve të hedhura.

Nëse opinionet janë hedhur sepse opinion-bërësit kanë dashur të favorizojnë një grupim politik, atëherë i bie që këta opinion-bërës janë politikë, në kuptimin, që janë pjesë e një krahu politik të caktuar. Nëse opinionet janë hedhur “gabimisht” në favor të një ideje, apo të një grupi politik, atëherë në rastin më të mirë, opinionistët duhet të jenë të vëmendshëm kur shprehin mendime, duke ia bërë të qartë publikut se edhe ata mund të jenë të gabueshëm.

Kështu të gjithë “jemi të larë”.

Në fund të fundit, qytetarët flasin përmes votës në shumë nivele… Ndoshta e kam gabim!

E mirepresim mendimin tuaj: