Po ku je, o shpirt?

kuturuPyetje nga Rruga0 Comments

– Po ku je, o shpirt?

Unë ngrita kokën për të parë se nga erdhi ajo thirrje e fortë, gazmore, dhe me thënë të drejtën, krejt e sinqertë!

Rreth 10 metra përpara meje, ishin një grup adoleshentësh. Njëri prej tyre, u shkëput nga grupi për të përqafuar “shpirtin” që sa e dalloi në krahun tjetër.

Pjesën e pyetjes në deklaratë, e kuptova. Si duket të rinjtë s’janë takuar për ca ditë. Pjesa e shpirtit më ngeli në mendje.

A e di personi që e përdori fjalën, kuptimin e fjalës? Ndoshta, pyetja fillestare është: çfarë ka ndërmend një i ri, kur e përdor fjalën “shpirt” në atë kontekst? Ndoshta “shpirt” ka kuptimin “njeri i mirë”? Në këtë rast fraza do të kishte kuptimin “ku je o njeri i mirë”. Atëherë i bie që “shpirt” ka kuptimin “një gjë e mirë, që e karakterizon në thelb një njeri. “Shpirti” gjithsesi, i bie që është një diçka e mirë – po them diçka në pamundësi për ta karakterizuar “gjënë” shpirt!

Po kuptime të tjera? Ma merr mendja, që çfarëdo që kishte në mendje thërritësi, konteksti më thotë që fjala “shpirt” u përdor në mënyrë pozitive. Me fjalë të tjera, thërritësi nuk po thoshte që djali në fjalë ishte “fantazëm”, ose “një gjë shpirtërore por pa trup fizik”. Fakti që u përshëndoshën fizikisht me njëri tjetrin, do të thotë që koncepti i shpirtit egziston realisht në mendjen e thërritësit, si pjesë plotësuese e pamjes së jashtme fizike të personit.

Por këtu, personi mund të ketë pasur në mendje që pamja fizike e personit të thirrur të sjell ndjesinë e një “shpirti”. Edhe këtu, pyetja e vështirë është; çfarë është shpirti? A është i dallueshëm nga trupi fizik? A është plotësues i trupit fizik? A mund të dallohet? Kur themi “i doli shpirti” për çfarë e kemi fjalën konkretisht?

Pasi i bëra të gjitha këto përsiatje, vendosa të ndaloj. U ndjeva i lodhur – por prapë përgjigjet duhen gjetur.

Cfarë është shpirti?

Gjithsesi, kur dëgjon adoleshentë që thërrasin ashtu njëri-tjetrin, mu krijue një ndjesi pozitive… ku e ku më mirë sesa kur dëgjon fjalë denigruese ndaj njeriut, të dalë po nga goja e adoleshentëve!

 

E mirepresim mendimin tuaj: