Përsiatje rreth Histerisë Kimike

kuturuPo-e-Zi0 Comments

Duket sikur çdo gjë që mund të thuhet rreth lëndëve kimike që do të vinin në Shqipëri është thënë e stërthënë.

Si në një histori tmerri, pasi pika kulmore është shpalosur përpara syve të lexuesit, më duket me vend të përsias me ju si vijon:

Si filloi historia?

Nuk e kuptova si filloi. Nuk e kuptova se si me shpejtësi të rrufeshme u përhap ndër njerëz, jo vetëm ideja e sjelljes së armëve kimike në Shqipëri, por edhe skenarë të detajuar gati apokaliptikë, për shpërthime të përmasave të jashtëzakonshme, sa e gjithë Shqipëria mund të zhdukej e të bëhej hi. Nuk e kuptova këtë shpërhapje masive në një kohë të shkurtër.

Media Sociale

Ndër sytë e atyre që akoma vazhdojnë të diskutojnë fuqinë e rrjeteve sociale të komunikimit, ndodhi, ajo që mund të ndodhë kur rrjetet sociale të komunikimit funksionojnë. Brenda disa ditësh, njerëzia jo vetëm u informua për ndodhinë, por edhe u ndikua emocionalisht për ndodhinë… Emocionalisht, deri në pikën e pasqyrimit të frikshëm të vdekjes mu përpara syve tanë!

Efekti tjetër i Medias Sociale ishte uniformiteti. Nëse nuk ishe dakord me mendimin e protestueve, ishte e vështirë për ta shprehur mendimin. Sepse, kur je ndryshe nga të tjerët, ose je shumë i informuar, ose je budalla që s’mendon për të ardhmen. O me ne, o kundër nesh!

Lojrat politike

Edhe atëherë kur duket se nuk ka kurrfarë vend për lojra politike, dallohet qartë, që lojrat politike janë duke luajtur deri aty ku s’mban më. Natyrshëm, kur sa kemi pasur zgjedhje, mund të mendohet se tashmë për ca kohë do të kemi një lloj qetësie relative politike. Por, befas, qetësia shpërbëhet duke krijuar konturet për ngjarje madhore historike! Disa e krahasuan frymën e protestës me rrëzimin e sistemit enverist. Vërtet? Ka shpejt? E kaq në tym? Disa protestues që i njoh personalisht e vunë re lojën politike në prapaskenë që ditën që protestuesit u drejtuan drejt Ambasadës Amerikane…

Pro apo kundër Amerikës?

Si duket, disa duan që shqiptarët të jenë më anti-amerikan sesa janë. E megjithatë, nëse ka një vend në botë ku akoma shumë duan të shkojnë e të jetojnë ashtu siç mendojnë që njeriu duhet të jetojë, është Amerika. Më duket e çuditshme ndonjëherë që disa shkojnë në Amerikë edhe e shijojnë aq shumë lirinë e atij vendi sa bëhen terroristë. Kjo është Amerika. Edhe kështu do të jetë edhe për ca kohë!

Frika nga vdekja?

Gjatë ditëve të protestës, kam menduar disa herë, për arsyen mbi arsyet që i nxori njerëzit rrugëve. Edhe përtej nxitjes politike, përtej rrjeteve sociale që përhapën lajmin, përtej paaftësisë për të gjetur burimet e duhura të informacionit, përtej shumë çështjeve gjeo-politike që ndikuan situatën, përtej të gjitha këtyre, mendova që frika e një vdekjeje të ngadaltë nga ajri i helmuar, ishte nxitësi kryesor i protestave. Njerëzit kanë frikë vdekjen nga helmi… Jo se s’kanë frikë vdekje të tjera, por kjo lloj frike e supozuar e ngadaltë, kishte efekt histerie. Edhe na trembi të gjithëve.

Ma merr mendja që disa kanë parë ëndrra të tmerrshme këtyre ditëve.

Si do ta zgjidhim çështjen e frikës nga vdekja, tani që e dimë që s’ka armë kimike që vijnë nga Siria, por ka mënyra të tjera plot për të vdekur?

E mirepresim mendimin tuaj: