Përgjegjshmëria… ose “qershia e munguar mbi tortë”

kuturuPo-e-Zi0 Comments

Përgjegjshmëria… ose “qershia e munguar mbi tortë”

E pranoj… që humori rreth tortës, thjesht si humor jashtë kontekstit “turpëroro-kulturoro-patriotik”, është humor i klasit të parë… pothuajse!

Reflektimet rreth këtij konteksti, pasi ngjarja ka ndodhur, janë gjithashtu reflektime të klasit të parë, në kuptimin që ia vlen të reflektojmë dhe të dëgjohen të gjithë zërat… të dëgjohen të gjithë zërat dhe pastaj, pasi janë dëgjuar të gjithë, mund të shikojmë një pamje të madhe që ia vlen.

Unë po theksoj pamjen time “të madhe” me aq sa kam dëgjuar deri tani.

PO, autoritetet përgjegjëse, nuk kishin menduar një mënyrë organizimi për ta shpërndarë tortën. Kjo dëshmohet jo vetëm nga pamjet, por edhe nga intervista e njërit prej ideatorëve dhe përgatitësve të tortës, i cili theksoi në një intervistë te shqiptarja.com që kur ju fliste drejtuesve të policisë rreth shpërndarjes së tortës, merrte përgjigjen “e dimë ne këtë punë”. (Doli që edhe torta në Vlorë ishte objekt loje, por për këtë flasim në një pikë më vonë!)

Patjetër, personazhet që nxituan (të të gjitha moshave!) për të lyer duart me tortë pavarësie, na turpëruan. Turpëruan veten, si fillim, por edhe ne, se jemi të gjithë nga e njëjta shqiptari… Ne shqiptarët kemi shprehjen “ta hamë turpin me bukë”, por që ta hamë turpin, duhet ta vëmë re që egziston së pari.

Pamjet janë edhe për të qeshur… Nuk ka problem të qeshim. Kur s’qeshim dot me veten, atëherë i bie të qeshim me të tjerët… Më mirë të qeshim me veten si fillim! S’ka asnjë gjë të keqe! P.sh historia që disa kalamaj, kur babagjyshi i dhuratave (!) ju dha çokollata për Krishtlindje, ata refuzuan duke ju thënë: “po si duam çokollatat sivjet… se kemi marrë tortë!” është për gallatë! Qeshni, se s’ka problem!

Po, ka kohë që e jetojmë një dalldi papërgjegjshmërie, sa këto shfaqje nuk do të mungojnë. Kështu që le të bëhemi gati. Dhe kjo nuk dallohet vetëm nga torta. Kjo dallohet nga fëmijë të vegjël, që qajnë në rrugë se duan diçka me çdo kusht, dhe prindërit ia japin pa e vënë në diskutim çështjen. Dëgjon kalamaj që flasin me njëri-tjetrin me batuta “portokallie”, për të cilat më vjen mua turp kur i dëgjoj! Edhe jam gati 35 vjeç, që të jemi të qartë… Ose programe fëmijësh 10 vjeçarë të cilët pyeten për “dashnoret” në kanale kombëtare të cilësisë HD! Nëse rrisim një brez që e kupton lirinë si “harbim pa kufinj” atëherë fusni lugët në brez për tortën e 101 – vjetorit!!!

Meqë ra fjala, kjo ilustron shumë mirë edhe lojën me tortë në Vlorë… Aty organizatorët e ruajtën tortën…. deri sa ikën ata vetë, pastaj fëmijët e shijuan lirinë me të cilën janë rritur!

Këtu mbaron pamja e madhe imja… Idetë nuk mbarojnë!

E mirepresim mendimin tuaj: