Pasqyra e së mërkurës së pasfestave

kuturuPub-istikë0 Comments

Autobuzi është si zakonisht – megjithëse ditët e tjera më dendur mund të jetë. Gjithsesi ngushtësia nuk më lejoi ti shmangem atij burrit që nuk ishte larë pas festive, që me thënë të drejtën ia vuri syrin për ta shmangur që përpara se të ngjitesha në katrorin e gjelbër me rrota. Shumë vonë! Gjithë rrugën përtypa reagime “normale” ndaj aromave të njerëzve dhe si mund të ndihmojë një qytet më modern për të na e hequr këtë barrë ne që mendojmë që lahemi më shpesh. Ndoshta ngaqë kemi para të paguajmë faturën e ujit, por kjo është një temë tjetër.

Kur bëhesh gati të zbresësh, më bëri përshtypjen për të disatën herë, që disa, njerëz me moshë të thyer zakonisht, megjithëse e vënë re që do të zbresësh edhe ti bashkë me ta e je përpara tyre, prapë duan të bëjnë përpara teje që të zbresin më shpejt. A thua ju ka ngelur ky zakon nga koha e rradhëve të gjata? Apo thjesht është një dëshirë “për të dalë i pari”? Kudo njerëzit duan të jenë të parët. Të paktën parullat kanë ndryshuar. Pak kush ka guxim të thotë publikisht “unë dua të jem i pari”. Ndërsa jo publikisht, të vënë bërrylin a thua se ti që e merr me qetësi je më i pazoti i shqiptarëve…

Në disa kryqëzime me semaforë në Tiranë vihen re gjithmonë një budalla dhe një i mençur. Budallai është ai që pret që semarofi të nxjerrë shenjën e gjelbër të së drejtës së këmbësorit për të kaluar. I mençuri ia këput rrugës me të gjelbër a me të kuqe, si ta zërë. Nuk është problem si ia bëjnë ata. Problemi është: unë, në cilën kategori të rri? Gjithmonë sipas kategorive praktike të kalimit të rrugës! Një sfidë gati-gati hamletiane, megjithëse për nga rëndësia ajo e hamletit sikur nuk ka më peshë…

Pas festave ka akoma flamuj që rrinë nderë në dritare e ballkone. Do pak punë për ta vënë flamurin në ballkon. Do pak më shumë për ta hequr. Por do shumë më tepër që të sillesh si qytetar që mund ti japësh diçka me vlerë këtij vendi 363 ditët që ngelin përtej festave. Më erdhi në mend një batutë e një historian nga studioja e TV ku ishte ftuar: “Filani (duke ju referuar një analisti dhe profesori që kishte komentuar në Facebook) mund të flasë ashtu por puna është çfarë ka bërë filani (prapë duke ju referuar personit) e çfarë kam bërë unë për këtë vend që t’ia vlejë të na përmendet emri?” Mu duk batutë me vend.

Pretendenti për fronin e Shqipërisë paska ndërruar jetë sot. Tani e di kush është tema kryesore e lajmeve të darkës.

Çfarë do të bëjmë sivjet për këtë vend që të shohë pak më shumë dritë, mend e të ardhme?

E mirepresim mendimin tuaj: