Pasqyra e së hënës

kuturuJeta Shqiptare, Pub-istikë0 Comments

Një udhëtim i gjatë nga Dibra në Tiranë. Disa herë ndaluam rrugës për të parë kantieret e punës së Rrugës së Arbrit. Rruga përfundon – shpresoj – në vitin 2013. Atëherë rruga do të zgjasë rreth 2 orë. 5 orë është tani.

Në Shkopet ndaluam për një pilaf me kos. Shumë ndalojnë rrugës për një pilaf e për një pushim. Pastaj rruga vazhdon.

Ndërkohë kur hyjmë në Milot mund të dëgjojmë lajme në Radio. Basha filloi punën. Me premtime sigurisht. Shpresojmë se do ti mbajë, sidomos atë premtimin e famshëm për hipotekat e pallateve, sepse nëse dua të blej shtëpi, mirë është të jenë me dokumenta të rregullta.

Ndërkohë këshilltarët e bashkisë po debatojnë. Dikush po i thoshte tjetrit: “Mos na e merrni për ofendim. Shkuam në zyrën e kryetarit për ta uruar se kështu ka lezet. Nëse ju kemi fyer, të na e falni!” Duket si një kuvend burrash ku “rregulli” është nderi…

Kur kryetari i ri po betohej, në “themelet” e bashkisë po therej një dash, për mbarësi. Disa e kanë marrë këtë si simbolike myslimane. Unë them kjo është simbolikë prapambetësë që s’ka lidhje me asnjë fe. Më duket akt tragji-komik – e megjithatë një akt krejtësisht shqiptar! Deri në themel!

Rrugës nga Peshkopia në Tiranë kalohet në Bulziqë. Pak a shumë në kohën që kam kaluar unë, 25 minatorë kanë vendosur të futen në grevë urie në një nga galeritë e minierës. Minatorët kanë disa ditë që protestojnë. Mediat flasin për ta. Por kompania dhe qeveria, sipas minatorëve, nuk i kanë dëgjuar. Kështu ata duhet të sakrifikojnë më shumë. Një nga kërkesat e tyre është përmirësimi i kushteve të sigurisë në minierë dhe investime në minierë. Punëtorët kërkojnë investime për shfrytëzim më të mirë të minierës. Interesante!

Vëllai i Obamës paska ardhur në Tiranë për të promovuar librin e tij. Vëllai i Obamës? Eh, ç’na gjeti! Të paktën vëllai ditka të luajë në piano se po të mos ishte pianist do më dukej sikur ka ardhur fundi i botës.

Gjykata e Lartë e shtyu gjyqin e Metës për në shtator. Kuptohet për shkak të pushimeve. Nuk i kuptoj këto pushimet e zyrtarëve. Gjykatat janë pushim gjithë verës. Njerëzit punojnë. Maksimumi pushojnë dy javë. Po jo më shumë. Ndërkohë gjykatat janë inekzistente gjithë Gushtin.

Ndër të tjera gjykata tha që “nuk kishte gjetur një ekspert për të vërtetuar saktësinë e videos Meta – Prifti”. Ndëkohë dy ekspertiza nga amerikanë dhe anglezë janë hedhur poshtë. Ku do ta gjejë ekspertin gjykata?

Tani që po shkruaj kam hapur dritaren që shikon nga rruga për shkak të vapës. Një motor kaloi në rrugë e na përshëndeti me një klithmë drithëruese të pambarimtë të motorit që me siguri po lodhet. Ndërkohë një fëmijë që a kanë lënë në vendin e shoferit po na “kënaq” duke e shtypur borinë çdo 1 minutë.

Lajmi më i mirë i ditës: Është zbuluar një lloj tulipani i ri. Në Kukës. Adhuruesit e tulipanëve duhet të gëzohen me faktin se kemi një tulipan unik në Kukës, të llojit shqiptar. Lexojeni lajmin në origjinal.

Tulipa Albanica… Mbaroi e hëna!

E mirepresim mendimin tuaj: