Mësime (krejt personale) pas zgjedhore

kuturuPub-istikë0 Comments

24 Qershor 2013.

Dita e parë pas zgjedhjeve. Gjatë pothuajse gjithë ditës, mendimet e mëposhtme më vërdalloseshin në kokë… jo patjetër sepse janë të lidhura me njëra tjetrën në mënyrë të sistemuara, por sepse, ngacmimet e jashtme të ambientit mi sillnin në mendje herë pas here…

M’u duk se flamujt, për të cilat kam folur më përpara, ishin hequr. Ndoshta jo sepse është shpejt akoma për ti hequr, por ndoshta edhe dikush është kujdesur për ti hequr menjëherë. M’u duk se ishin më pak sot. Posterat, e ngjitura shëmtuar nëpër mure, do të na shoqërojnë gjatë, mendova, se ato edhe nuk hiqen aq lehtë.

M’u duk se gjithkush sot ishte në punë të vet. Njerëzit zhurmshëm lëviznin nëpër Tiranë, dhe më bëri përshtypje sesa pak prej tyre e kishin mendjen te zgjedhjet. M’u duk, se ato ndoshta po mendonin për zgjedhjet. Disa, kishin ndezur radiot në mes të trotuarit e po dëgjonin gjithë kërshëri për numrin e fundit të votave të numëruara diku.

M’u duk sot, pikërisht sot, më shumë se çdo herë tjetër, që militantizmi partiak është një dukuri pothuajse e shëmtuar. Nga njëra anë, mendova, që në liri e demokraci, njerëzit kanë të drejtë të duan e të zgjedhin atë që duan. Këtu, m’u duk që ka vend për vlerësim e frymëmarrje. Por, një shfaqje e pa vend e dashurisë për një parti, a thua se e gjithë shpresa e jetës varet te njerëzit e gabueshëm të asaj partie (meqë ra fjala, e kam fjalën për të gjitha partitë!), m’u duk një sindromë e një sëmundje të pështirë e të rrezikshme për shumë njerëz.

M’u duk sot gjithashtu që shumë njerëz dinë ta bëjnë dallimin mes zgjedhjes se asaj që duan, dhe detyrimit të duan dikë nga halli. E megjithatë, për shumë shqiptarë, partia është vendi ku zgjidhin hallet. E më erdhi keq për hallexhinjtë.

M’u duk gjithashtu që njerëzit që e duan Zotin, dhe e kanë Zotin realitet në jetën e përditshme e rrjedhimisht besojnë në përjetësinë e shpirtit e trupit të njeriut, e kanë më të lehtë ta interpretojnë realitetin e tanishëm, madje edhe në zgjedhje. Pavarësisht nga zhgënjimet nga një apo disa politikanë, kush ka një pritje nga Zoti, qëndron më lehtë në betejë, dhe e interpreton më mirë këtë realitet të çoroditur. Pse? Sepse Zoti i Biblës e ka theksuar qartë që asgjë nuk del përtej kontrollit dhe sovranitetit të Perëndisë… Asgjë! Edhe kur fitojnë kundërshtarët!

Dhe e fundit, m’u duk që byreku pas zgjedhjeve – e kam fjalën për byrekun që blej te kioska afër vendit ku punoj, – shijonte njëlloj siç më shijonte përpara zgjedhjeve. Dhe u përpoqa ta shijoj… sa mund të shijohet një byrek kioske!

E mirepresim mendimin tuaj: