Çfarë pres prej Papa Françeskut?

kuturuBesim, Tent-a-tivë0 Comments

Tashmë shumë veta kanë ndërmarrë përsipër të komentojë vizitën e parë të Papa Françeskut në një vend Europian si Shqipëria – edhe, i thashë vetes, përse të mos komentoj edhe unë?

Vetëm do ti bie shkurt me nja dy pika që po pres ti dëgjoj prej udhëheqësit shpirtëror të katolikëve dhe një bisedë humoristike me djalin tim 10 vjeçar, me temë vizitën e Papës në Tiranë.

Meqë ra fjala, një pritje që kisha tashmë e kam shprehur dhe më shkoi mundimi kot… Lexoni më shumë këtu për atë rast!

Po lexoja disa fjalime të Papës që kur është kurorëzuar në këtë rol. Papa ka folur shumë rreth varfërisë, rreth rolit të materializmit, rreth rëndësisë së Ungjillit në jetën e besimtarit, rreth paqes, rreth luftërave, rreth heqjes dorë nga egoizmi, rreth nevojës për të provuar edhe dështimit… e shumë fjalë të tjera urtësie!

Unë po pres të dëgjoj edhe njëherë komentet e tij nga Tirana rreth Ungjillit. Cfarë është Ungjilli? Si do ti referohet Ungjillit në fjalimin e tij? Dmth po pres të dëgjoj të gjithë fjalinë edhe kontekstin e fjalisë ku do të përmendet Ungjilli… Dhe pastaj kam edhe një pritje shtesë, që s’ka të bëjë me Papën, por me komentuesit e Papës: sa prej këtyre komentuesve shqip-folës kryesisht, do ti referohen në ndonjë mënyrë deklaratave të Papës rreth Ungjillit, në mënyrë e saktë, ashtu siç Papa do ti referohet në kontekstin e fjalimit të tij? Po pres të dëgjoj komentet e Papës rreth Ungjillit, sepse, Papa është Papë, edhe prej Ungjillit, apo jo? Kështu, në njëfarë mënyre, çfarëdo që të thotë rreth Ungjillit duhet të jetë e rëndësishme.

Pritja e dytë, ka të bëjë me një koment që dëgjova po prej Papa Françeskut, i cili tha diku se kryqëzimi i Krishtit, është shpresa për paqe dhe dashuri në botë. Seç kam një pritje që ta shtjellojë edhe këtë pikë në fjalimin e tij, sepse dua të di, sesi kryqëzimi i Krishtit qënka shpresa jonë për paqe në botë. Në ç’mënyrë, një ngjarje historike e përpara mijërave viteve, na jep shpresë për të shuar konfliktet e botës sonë. Si mund të ndodhë kjo?

Kaq pritje kam. Nuk janë shumë, apo jo?

Bonus humoristik: Po i tregoja djalit tim 10 vjeçar, i cili është tifoz me Gjermaninë, sesi Papa Françesku që po vjen në Tiranë, është dashamirës futbolli dhe është nga Argjentina.

“E di unë se si ta presim Papën nesër”, – më tha. – “Do të marr një bluzë të Gjermanisë, edhe do ta përshëndes Papën me bluzën që ti kujtoj botërorin!”

Kështu, nesër, djali im do të ketë veshur bluzën e Gjermanisë… Shpresoj që s’do të jemi shumë afër Papës!

E mirepresim mendimin tuaj: