Panorama e panevojshme e një interviste…

kuturuKulture Shqiptare, Media, Tent-a-tivë0 Comments

Përshkrimi i mëposhtëm, vjen në një hyrje të një interviste të kryer me personin që gjithashtu përshkruhet më poshtë, në një intervistë të botuar në të përditshmen Panorama për dy ditë me rradhë:

“I cilësuar si “monstra i Durrësit” për shkak të krimit që tronditi mbarë vendin, tashmë duhet të vuajë 25 vjet burg. Dënimi për Norjen, i cili në shkurt mbushi 81 vjeç, u mor në një proces rrufe, zhvilluar me dy seanca. Tashmë si shtëpi të vetën ka qelinë e burgut, ku ndodhet që prej tetorit të shkuar, kohë kur vrau e më pas i preu kokën të dashurës së tij, ish-nxënëses së Medresesë. Për herë të parë në një intervistë ekskluzive nga ambientet e Institucionit të Paraburgimit në Durrës, Shaban Norja rrëfen historinë e njohjes me Ajshe Vatën e deri te momenti kur u arrestua si autor.

Pohon me këmbëngulje se e donte Ajshen dhe se krimi ishte “amaneti” i saj, por mohon se kishin kryer marrëdhënie gjatë muajit të Ramazanit. Ka pranuar çdo gjë që në fillim kur u arrestua dhe ashtu si në gjyq, shprehet herë pas here se është penduar… Ky është rrëfimi rrëqethës i 81-vjeçarit Shaban Norja, i cili nis të qajë në momentet kur tregon se si e kreu vrasjen.

Ishte momenti i vetëm gjatë intervistës që Shaban Norja tregoi anën e tij të ndjeshme, aq sa mund të ekzistojë një e tillë në një njeri që kryen një krim kaq ngjethës.”

Reagimi im?

E para, a nuk mjafton “terrori” që përjetuam duke dëgjuar detajet e kësaj historie makabre, kur zhvillohej para syve tanë e pa asnjë mekanizëm filtrues, e krejtësisht LIVE (në kuptimin që media na i pasqyronte detajet e ngjarjes pothuajse në kohë reale?)

E dyta, kujt i intereson rikthimi në skenë i kësaj ngjarje, disa kohë pasi ngjarjet janë mbyllur e kanë marrë rrjedhën normale të ngjarjeve? Kujt i intereson edhe njëherë, rikthimi nën të njëjtin atmosferë terrori, në kohën kur ngjarja ka kaluar? A thua gazeta ka ndjerë nevojën e një “atmosfere” të ngjashme kur për ndonjë arsye të “çuditshme”, atë ditë, s’ka ndodhur ndonjë ngjarje po aq e tmerrshme sa kjo e përmendur në këtë intervistë?

E treta, si përfundim, e konsideroj krejtësisht të panevojshme rikthimin në skenën publike të një personazhi fatkeqësisht jo aq me vlera për publikun.

Shënim përfundimtar: Si ka mundësi, që një vrasës i dënuar tashmë, del në media jo vetëm kur bën masakrën, por edhe disa kohë pas kësaj për të na dhënë një intervistë me mendimet e tij rreth ngjarjes? Pse ndihem keq unë, që s’kam mashtruar njeri, s’kam vrarë njeri, s’kam abuzuar me njeri; tamam, pse ndjehem keq që pikërisht unë, që s’kam kryer asnjë prej të mësipërmëve, s’dal në asnjë media për intervistë? Si duket kjo është koha për të vlerësuar ata që kanë marrë rrugën e të tatëpjetës…

E mirepresim mendimin tuaj: