Një pamje e largët (dhe e afërt) integriteti…

kuturuTeknologji0 Comments

Sam Allardyce sapo ka lënë punën që kishte ëndërruar gjithë jetën. Pas 67 ditësh në krye të skuadrës kombëtare angleze të futbollit, ai e la detyrën për shkak të një skandali përgjimi, ku premtonte ndihmë për të thyer ca rregulla të Federatës Angleze të Futbollit në këmbim të rreth 600.000 eurove.

Paga e tij vjetore shkon te 5 milion Eurot.

Dmth përtej 5  milion eurove në vit, i duheshin edhe 600.000 euro të tjera.

Megjithëse pak larg realitetit tonë, është një rast për t’u parë… madje edhe në lidhje me realitetin tonë.

Sa para duhet të fitosh që të mund të fillosh të ruash integritetin tënd personal?

Përsa duhet të shitesh? Çfarë duhet t’i ndodhë një njeriu, që të thotë, në zemrën e vet, se, kufinjtë e integritetit personal nuk duhen shkelur? As përpara kamerave e as pas kamerave?

Një burrë i urtë ka shkruar një listë të gjatë me proverba, të cilat gjenden në Bibël. Mund t’i lexoni online në këtë link.

Po veçoj vetëm dy:

“Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari” Fjalët e Urta 22:1

Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.” Fjalët e Urta 1:19.

Etja për pasuri – sidomos etja për pasuri të padrejta – “ia heq jetën atyre që e kanë”. Jua heq jetën.

Nga përkufizimi, “heqja e jetës” do ti ndodhë jo vetëm atij që kërkon 600 mijë mbi 5 milion eurot. Por edhe atij, që për shkak të etjes për pasuri, merr para që s’i takojnë, mbi rrogën normale që ka. Edhe atij që shfrytëzon karrigen e pushtetit për të abuzuar me ata që janë më të dobët se vetja. Edhe atyre që bëjnë sikur hapin konkurse por në fakt i kanë dhënë “vendet e punës” përpara se të hapin konkurset. Edhe atyre që abuzojnë me “diskutime publike” për të përfituar interesa private…

Me fjalë të tjera, rezultati i hidhur për trajnerin anglez, nuk është një pamje që s’ndodh kurrë në realitetin shqiptare. Vetëm, këtu, akoma nuk e dallojmë rënien e disave… Por etja për pasuri, ka gjithmonë të njëjtin rezultat… herët a vonë!

 

E mirepresim mendimin tuaj: