Out-rage-ous! – 1

kuturuKulture Shqiptare, Viz-Kuturu, Vlera0 Comments

Përkufizimi: Outrageous=Teprim në të keq fyes dhe shokues.

E di që është fjalë e huaj! Por s’po gjej një tjetër që përcjell po atë ndjenjë revoltimi dhe fyerje të përzier bashkë, në lidhje me rezultatet e një studimi të kryer nga World Vision mbi përballjen e fëmijëve shqiptarë të moshës 13-18 vjeç me pornografinë. Dhe pastaj jam akoma më i revoltuar dhe i fyer (outrageous, prapë!) për mënyrën se si komentohen këto gjetje nga e ashtuquajtura e elita e gazetarisë shqiptare…

(Por për këtë elementin e dytë, na duhet një postim i mëvonshëm.)

Le të kthehemi te studimi.

Studimi quhet “Ti mbajmë fëmijët të sigurt në hapësirën online” (Keeping Children Safe Online), në të cilin janë intervistuar rreth 900 fëmijë në disa qytete të Shqipërisë. Studimi mund të gjendet lehtësisht në faqen e internetit të World Vision.

Unë dua të veçoj vetëm disa elemente nga studimi, që janë specifikisht “outreageous” sipas mendimit tim modest.

* 44 % e fëmijëve të kësaj moshe shohin materiale pornografike çdo ditë.

Pothuajse 1 në 2 fëmijë të kësaj moshe shikojnë materiale pornografike… çdo ditë! Cdo ditë? Ku e gjejnë kohën për të parë çdo ditë? Si e kalojnë kohën fëmijët e kësaj moshe? Çfarë do të thotë ky fakt për pikëpamjen e këtyre fëmijëve për marrëdhëniet seksuale, për marrëdhëniet mashkull-femër? Ku e mësojnë këta fëmijë mënyrën për të ndërvepruar me persona të seksit tjetër? Çfarë ndodh në mendjen e këtyre fëmijëve?

Nga pikëpamja ime, nëse ka një bombë sociale që do të shpërthejë (këto krahasimet me bombat janë bërë shumë të kuptueshme për realitetin tonë – më ndjeni për mungesën e fantazisë!), atëherë kjo është më shkatërruesja! Ky fenomen ka aftësinë të shpërthejë keq, duke i shpërfytyruar marrëdhëniet normale mes një djali e një vajze, duke shtuar dukshëm keqtrajtimin, kryesisht të femrave, dhe mizërinë e brendshme të burrave të ardhshëm… Dhe do krijohen kushtet për rritje të abuzimeve me karakter seksuale në të ardhmen si ato brenda një familjeje – plagë të shoqërive modern perëndimore, por që për karakterin e natyrën e shqiptarisë nuk kanë qënë aq të dukshme e popullore deri më tani!

* 47 % e fëmijëve e pranojnë se janë kontaktuar nga një i panjohur përmes internetit.

E pabesueshme! Në fakt e besoj, por nuk isha i sigurt që ky fenomen ishte në këto përmasa në Shqipëri. Këta fëmijë nuk janë kontaktuar nga dikush për të lojra fëminore! Normalisht, natyra e personave që duan të lidhen me fëmijë të kësaj moshe përmes internetit, është natyra e personave me sfond kriminal – që kanë synim abuzimin seksual të të miturve, që thjesht për kujtesë, është një krim i dënueshëm në çdo vend të botës – me aq sa di unë. Kjo do të thotë që një nga dy fëmijë, është kontaktuar nga dikush, nga kjo kategori personash. E kuptoni se çfarë do të thotë kjo, për një fëmijë të moshës 14 vjeçare, që sapo është zënë me prindërit sepse nuk i pëlqen ti kërkojnë llogari për jetën e tij? Një kurth që e shfrytëzojnë shumë mirë ata që merren me këtë lloj “zanati”!

* 62 % e pranojnë që kanë një shok që shikon rregullisht materiale pornografike online.

Cfarë të thuash për këtë? Kjo thjesht tregon që ky është një fenomen “kolektiv” – me fjalë të tjera, më jep përshtypjen që fëmijët as nuk e kanë shumë problem që shikojnë materiale pornografike. Me fjalë të tjera, është një “gjë” e pranuar nga ana sociale, në një nivel që duket vërtet i frikshëm.

* 68 % e tyre pranojnë që janë të ekspozuar ndaj materialeve pornografike në disa ambiente, pavarësisht nga dëshira e tyre.

Si janë përballur këta fëmijë me të tilla materiale? Kjo statistikë na tregon që ata janë përballur me këtë fenomen pa dëshirën e tyre. Dmth egziston një kontekst i mjaftueshëm për ti përballur fëmijët me pornografinë, aq sa duhet të jemi tejet të kujdesshëm kur supozojmë se ambienti përreth është mjaftueshën i shëndetshëm për kalamajtë tanë!

* Shumica e këtyre materialeve ose përballjeve ndodh në Internet-kafetë.

Internt-Kafetë – përpara disa kohësh, kur u përfol për disa abuzime seksuale me të mitur, kam dashur të realizoj një si tip sondazhi personal në disa prej internet-kafeve të Tiranës, për të parë, se në ç’shkallë njerëzit janë të ekspozuar ndaj pornografisë në këto ambiente. Nuk e bëra “studimin”. Por duket qartë që studimi i World Vision e konfirmon merakun që kisha. Internet-kafetë, janë vende krejtësisht të pakontrolluara nga rreziqet që ju vijnë fëmijëve online, e madje, duket se e ushqejnë këtë fenomen. A thua, sepse “njerëz të varur” rezultojnë përdorues më të rregullt se të tjerët, e kësisoj paguajnë më mire kohën e përdorimit të Internetit? Vetëm pyetje dhe ironi!

* 32 % e këtyre fëmijëve e pranuan që mësuesit nuk janë personat e konsideruar të përshtatshëm për t’u mbështetur ose për t’ju kërkuar ndihmë në këto raste. 27 % e tyre nuk e konsiderojnë policinë si vendin ku mund t’ju ofrohet ndihmë e mundshme.

Ku kërkojnë ndihmë fëmijët në këto raste? Te mësuesit jo. Te policia jo! (Përmendja e policisë ka të bëjë me kontestin kriminal të personave që kërkojnë kontakt fëmijëve përmes internetit). Te prindërit? Ne e dimë se kjo është e vështirë për realitetin shqiptar – megjithëse shpresoj që shumë prej këtyre fëmijëve kanë guximin për të folur me prindërit e tyre! Shpresoj!

Rekomandime?

World Vision ka sygjeruar një sërë ndryshimesh në ligjet dhe praktikat qeveritare. Si shtesë, unë i sygjeroj qeverisë shqiptare, që përpara se të kujdeset për bastexhinjtë online, që janë në moshë madhore edhe e dinë në një farë mase se çfarë po bëjnë me paratë e tyre, të kontrollojë urgjentisht të gjitha internet-kafetë në Shqipëri, dhe të mos lejojë asnjë prej tyre të ekspozojë materiale pornografike në internet, sidomos për fëmijë nën 18 vjeç. Kjo është e mundshme teknikisht, dhe praktikisht! Dhe të proçedohen ata që lejojnë fëmijë të kësaj moshe të përballen me gjuajtës seksualë nga e gjithë bota, përmes biznesit të tyre.

Urgjentisht! Përpara se të jetë më vonë se vonë!

Së shpejti:

Outrageous 2 – Për çfarë i duhet kompjuteri personal në dhomën e tij një fëmije nën 18 vjeç?

Outrageous 3 – Po këta analistë, që e miratojnë përballjen e fëmijëve të kësaj moshe me pornografinë, por janë thjesht të shqetësuar për shpeshtësinë e kontaktit (çdo ditë!), si t’i lexojmë?

E mirepresim mendimin tuaj: