Jo, po… që ta dinë!

kuturuKrim-tari0 Comments

Në pothuajse 10 ditët e fundit kam parë shumë pak programe televizive! Filloi shumë thjesht: pas një udhëtimi jashtë Shqipërisë, menjëherë pas kthimit, nevoja për t’u ngritur herët në sulm për të arritur furgonin e fëmijëve për shkollë, më theksoi nevojën më themelore për të fjetur herët…

Dhe vrapi drejt gjumit më thau dëshirën për të shtypur butona telekomande pa asnjë lloj ritmike domethënëse! Dhe kësisoj, shumë pak lajme televizive, e sidomos shumë pak opinione darke nga ATA!

Në fillim, m’u faneps në mendje pyetja: çfarë janë duke thënë ATA? Cfarë janë duke thënë opinionistët në ato tryezat televizive të sajuara pa shumë shije, pas të tetave të darkës, që ndoshta do të ishte me vlerë ta dëgjoja… të paktën sa për t’u ndjerë i informuar? Cfarë po humbisja?

Dhe në fund, u munda! Përse të rri prapa botës?

Shokët e mi po diskutonin rreth “opinionit” të fundit, dhe unë u ndjeva “i lënë mënjanë”. Një shoqja ime postoi në Facebook një “thënie” nga “opinioni” i parafundit, dhe unë prapë u ndjeva zemërlëshuar që kisha humbur atë xhevahir të fjalës së folur kuturu! Disa po përmbyteshin në jug nga shiu i dendur, por prapë, megjithëse pashë fotot online, më sekëlldiste mungesa e një komenti të arsyetuar hollë mbi ndikimin që kanë partitë politike mbi motin dhe qeverisjen. U ndjeva i brengosur. U ndjeva pa jetë! Sikur, erdhi uji e më mori mua! Dhe nuk ishte fare problem “fundi” në mes të ujit, por ishte dërrmuese njëfund i padenjë për opinion!

Dhe e ndeza televizorin!

I dëgjova disa prej TYRE për disa minuta! Sapo dëgjova “opinionet” e TYRE, e kuptova që paragrafin përpara këtij që po shkruaj tani, e kisha djallosur fare! Më kishte marrë ferra mendjen! E kisha shkruar paragrafin duke harruar realitetin e “opinioneve” të TYRE, që nuk janë as për status në orët e thatësirës së postimeve në Facebook, as vlejnë për ndonjë grimcë bisede mes shokësh, e nuk sqarojnë gjë prej gjëje për motin, që në fund të fundit, varet jo prej TYRE, por prej dikujt tjetër! Opinione që vetëm jetë e saktësi nuk sjellin!

Dhe u ktheva përsëri në jetë… duke fikur televizorin!

Ndoshta opinionistët do ta lexojnë opinionin tim! Ndoshta ATA nuk lexojnë fare! Por unë desha që ta dinë mendimin tim!

Jo, po… që ta dinë edhe ata opinionin tim!!!

E mirepresim mendimin tuaj: