Një shqiptare tjetër?

kuturuPo-e-Zi0 Comments

Elhaida Dani, jo vetëm ka fituar “The Voice of Italy” por i ka hapur rrugë një karriere ndërkombëtare, që shpejt do të materializohet. Ajo e meriton dukshëm.

Në finalen e mbrëmshme, më bëri përshtypje një frazë e trajnerit të saj, Riccardo Cocciante. E perifrazuar, fraza e tij, theksoi “përulësinë e dukshme të këngëtares, që ishte një model” edhe për Cocciante-n.

Dani është një shqiptare tjetër jo vetëm për talentin e saj, por edhe për përulësinë e saj – të paktën me aq sa duket në ekran. Dhe për të qënë i sinqertë, përulësia është një virtyt që nuk duket shpesh mes shqiptarëve të këtushëm.

Vini re frazat e atyre që dominojnë ambientin publik: “unë e di… unë mendoj dhe kështu është… unë jam më i zoti nga të gjithë… me mua bëhet çdo gjë…”.

Nuk ka asnjë problem të theksohen aftësitë e gjithkujt, por, duhet, që aftësitë e gjithkujt të vlerësohen nga të tjerë e jo nga vetvetja!

Kjo është përulësi. Të paktën një pjesë e saj. Elhaida Dani e bëri punën e saj ashtu si mundi, dhe u vlerësua me 71 % të votave, në një ambient ku duket që realisht i ka merituar votat…

Bravo Elhaida Dani! Shpresoj që të vazhdosh të jesh një shqiptare tjetër, si model për ne që kemi nevojë!

E mirepresim mendimin tuaj: