Nje fluturak befasues… që mbart fatin e sportit europian!

kuturuTeknologji, Viz-Kuturu0 Comments

Po, e kemi pare “fluturakun”, siç i thonë në Prishtinë, ose “drone” në gjuhën angleze të Tiranës… E ka parë e gjithë bota!

Debati po kulmon në disa pista:

Në pistën sportive: Akoma nuk dimë kush ishte fituesi i ndeshjes, nuk dimë vendimin e UEFA-s, nuk dimë se si do të vijojë fushata eliminatore e të dyja skuadrave.

Në pistën diplomatike dhe politike, beteja është akoma më e ashpër! Cili vend do të fitojë kredibilitet politik e cili do të humbasë? Cili do të jetë reagimi politik i Europës? Dhe më e rëndësishmja, a do të shkojë Rama në Beograd?!

Në pistën patriotike, të gjithë ndjehen të fituar… ose më mirë me thënë, të ngarkuar! Pavarësisht sa shumë je gati ta ekspozosh dashurinë për vendin – si qytetar i kujdesshëm, punëtor e ligjzbatues, apo si patriot i flaktë e i helmuar – pavarësisht nga këto lloj mundësish paraqitjeje, të gjithë ndjehen të ushqyer nga ngjarja. Është si “ushqimi” i nevojshëm… por nëse e tepron, mund të të dëmtojë trupin!

Për të gjitha këto pista, s’ka vend për të shtuar asnjë fjalë, sepse kanë folur të gjithë!

Unë vendosa të shkruaj ca mendime rreth pistës “teknologjike”.

Për fluturakët është folur shumë kohët e fundit.. kryesisht nga gjigandët e teknologjisë Google dhe Amazon, që po bëjnë një “betejë” eksperimentale për ti futur në ato në përdorim për shërbimet që ofrojnë. Gazeta britanike DailyMail shkruante se ky lloj fluturaku mund të blihet për rreth 70-80 Euro dhe përdorimi i tij, kur pesha është më e vogël se 20 kg është i ligjshëm në hapësirën ajrore britanike.

Por është hera e parë që përdoren “fluturakët” për të bërë një deklaratë patriotike publike në një stadium futbolli. Nga aspekti krejtësisht teknik – në rrethana kur dikush e ka përdorur këtë teknologji thjesht për të shpalosur një banderolë – kjo është hera e parë që dikush zgjedh këtë mënyrë të shpalosjes së deklaratës!

Jo rastësisht, komentuesi i njohur botërisht i zhvillimeve teknologjike, mashable.com, i kushtoi një artikull fluturakut të ndeshjes.

UEFA i ka rezistuar prej kohës përdorimit të teknologjisë në fushë – dhe tani, në tepri të rastit konkret të ndeshjes, që duhet zgjidhur, duhet të shqyrtojë edhe reagimin e saj publik ndaj kësaj mënyre të përdorimit të teknologjisë.

Dhe kam përshtypjen, që kur gjithçka të jetë qetësuar në rrafshin sportiv, diplomatik, dhe patriotik, ndeshja Serbi – Shqipëri, do të mbahet mend në kronikat moderne sportive, si modeli befasues i përdorimit të fluturakëve në kontekstin e një ndeshje futbolli.

Përveç kuriozitetit të natyrshëm të pritjes së vendimit të UEFA-s, jam kurioz të dëgjoj edhe arsyetimin e drejtuesve të futbollit europian, pikërisht mbi shfaqjen e një fluturaku mbi një fushë sportive… Përtej 3 pikëve që do të ndikojnë një nga skuadrat, një qëndrim i UEFA-s do të ndikojë përdorimin e fluturakëve në një mënyrë që do të ndikojë shumë më tepër se disa shtete… Dhe, beteja e nisur prej disa kohës mes teknologjisë në fushë dhe UEFA-s, tashmë e ka marrë “një gol” përmes ideatorit të fluturakut… Të shohim se çfarë goli do të shënoje UEFA!

E mirepresim mendimin tuaj: