Nëntori i Jericho-s…

kuturuKulture Shqiptare0 Comments

U prezantova me grupin Jericho vetëm përpara një muaji. Nuk e di ku kam qënë më përpara, por si duket të dy (edhe unë, edhe ata) kemi qënë në pothuajse të njëjtën hapësirë por s’jemi përplasur! Akoma nuk e di pse grupi ka zgjedhur emrin Jericho – një qytet që përmendet në historitë e hershme të Biblës, e pas shkatërrimit, nuk do të rindërtohej më kurrë.

E dëgjova këngën “Nëntorin e ftohtë” dhe natyrshëm më ngjiti. Kënga më jep mendime që ndoshta s’janë farë në të njëjtën linjë me autorët e këngës, e megjithatë desha ti ndaj.

Më bën përshtypje që në kulmin e festës kombëtare shqiptare – nën efektin e një marrëzie të këndshme (udhëtime masive për Vlorë) e të pakëndshme (aktivitete masive pa lidhje e torta të shpërndara nëpër kova rozë), më bën përshtypje që dikush ka mendime, që shkojnë përtej rrymës. Ose kundër rrymës. Ka një vlerë që dukshëm duhet dëgjuar e shijuar në këtë mendim ndryshe për Nëntorin e Madh të shqiptarëve…

Autori i këngës ma konfirmoi këtë mendim, kur e dëgjova në dy intervista, një për AShow në Tiranë e një tjetër për Koha Vision në Prishtinë, kur thotë që një pjesë e këngës i referohet vdekjes së qindra mijëra shqiptarëve të vrarë në udhëkryqin e vitit 1912, aty ku fillon zanafilla e pavarësisë.

Megjithatë, kënga mu duk sikur i kushtohet pjesërisht dhimbjes që i shkaktojmë vetë njëri tjetrit. Dhe fjalët e këngës përshtaten krejtësisht me këtë motiv.

Kaluam një shekull në ecje por prapë u rrëzuam,

Kaluam një shekulll por prapë s’mund të qëndrojmë në këmbë,

Kaluam një shekull mësime e asgjë s’mësuam

O i paditur, syri i pangopur një popull e shemb!

Sa gjatë do të shkojë derisa ne ta duam vetveten,

Sa gjatë do të shkojë derisa fatin vetë ta ndryshojmë

Sa gjatë do të shkojë derisa tjetrit t’ia çmojmë jetën,

A më tregoni se ku ta gjej forcën sot të këndoj….

Teksti s’ka nevojë për koment. Qartë, i fortë e me peshë që zë vend. Por dua të ndalem vetëm me një kontradiktë, që autori i këngës nuk e prek fare në intervistat që dëgjova unë, por që mendoj ia vlen të përmendet.

Thirrja e grupit që ta duam vetveten e në të njëjtën kohë t’ia çmojmë jetën tjetrit, një realitet i pritshëm për grupin por që s’egziston tani për tani në kontekstin kulturor shqiptar. Dhe pikërisht këtu qëndron kontradikta: shqiptarët janë qartazi të dyzuar mes dashurisë për veten dhe çmimit të tjetrit. Në shumë rrafshe, dashuria për veten e përjashton dashurinë për tjetrin. Nëse në zemrën tënde i bën shumë vend dashurisë për veten tënde – ti je më i miri, më i vlerësuari, më i çmuari, më i pazëvendësueshmi – atëherë vështirë se ngelet në zemër qoftë edhe pak vend për të dashur e çmuar një tjetër. Dalëngadalë, fillon e ngrihet kulti i vetvetes, që thjesht pranon veten e asnjë tjetër në rrethin a ngushtë ku ndizen qirinjtë e adhurimit të thelbit të kultit.

Shembuj kemi plot, nga epokat përpara komunizmit, gjatë komunizmit, e deri edhe në 20 vitet e fundit në hapësirën shqiptare këtej a andej kufirit.

Më shumë se kurrë, na duhen njerëz, që kanë guximin të lënë mënjanë dashurinë për vetveten, edhe të duan dikë tjetër më shumë se vetveten – dikë që ia vlen realisht të duhet më shumë se vetveten, por, të paktën, të jetë përtej vetvetes. Atëherë mund të flasim për një ditë të këndshme që ia vlen të këndohet…

Jericho ka të drejtë dy fraza më sipër: O i paditur (që s’di si funksionon kjo punë), syri i pangopur (që s’ngopet kurrë duke përfituar për veten në kurriz të të tjerëve), një popull e shemb

Fiks.

E mirepresim mendimin tuaj: