Ndërgjegja jonë nën shembullin e Nënë Terezës

kuturuUncategorized, Viz-Kuturu0 Comments

Unë jam rritur duke dëgjuar fraza përçmuese për Nënë Terezën. Si duket, nën rregjimin e Partisë Komuniste në Shqipëri, ishte përhapur ideja se ajo ishte e ligë…
Sot, duket se ka shumë pak shqiptarë që mendojnë ashtu për Nënë Terezën. (Më duket që është prapë fatkeqësi që ka disa, e madje herë pas here flasin publikisht, por prapë le t’i gëzohemi faktit që janë pak!). Sot, shumë shqiptarë, duken krenarë, që një vlerësim publik kaq madhështor për Nënë Terezën, nga e gjithë bota, i jepet pikërisht një shqiptareje.
Megjithatë, duke marrë shkas edhe nga prania në ceremoni e të gjithë zyrtarëve shqiptarë, atyre që s’lënë rast pa jetuar ndryshe nga modeli i paqes i Nënës Terezë, më erdhi ndër mend një pjesë nga një film (që s’ia mbaj mend fare asnjë detaj tjetër, përveç këtij që do të përmend!).
Në film, dikush, tha: “të gjithë duan të shkojnë në parajsë, por askush nuk do të vdesë!” Nëse e marrim të mirëqenë paralelizmin, se që të shkosh në parajsë duhet të vdesësh, më duket se në rastin e Nënë Terezës, të gjithë duan vlerësimin që merr ajo, por pakkush dëshiron të bëjë sakrificën që bëri ajo.
Të gjithë duan të ndihen si shqiptarë model e të vlerësuar, por pakkush dëshiron t’ju shërbejë të tjerëve, të heqë dorë nga egoizmi, të heqë dorë nga përfitimi i pa të drejtë në kurriz të të tjerëve, të heqë dorë nga një gotë birrë përpara se t’i japë makinës duke rrezikuar qytetarë ditë për ditë, të vendosë të lidhë rripin e sigurimit kur i jep makinës, e të mos lerë fëmijët e vegjël të ulen në sediljen e parë të makinës e ti rrezikohet jeta, të mos gënjejë në fushata zgjedhjesh vetëm për të marrë një votë më shumë, sidomos kur e di që s’do t’i shërbejë atyre njerëzve as edhe një çast në kohën e sundimit mbi ta…
Megjithatë, më duket se ka disa, që duan ta rregullojnë ndërgjegjen e tyre sot, duke shkruar artikuj për anët e errëta të Nënë Terezës. Nuk është që unë nuk mendoj që Nënë Tereza nuk mund të ketë anë të errëta, por, të përpiqesh të sajosh gjëra që as nuk i kupton, do të thotë që thjesht kemi nevojë të mendojmë se Nënë Tereza është e ngjashme me ne… Për shembull, qëndrimi i Nënë Terezës kundër abortit, nuk është “anë e errët” e as sekret. Ajo e ka përmendur këtë qëndrim që kur mori çmimin Nobel për paqen. As kritikat e një ateisti shumë vokal, si Christofer Hitchens, nuk na jep ndonjë të dhënë të madhe…

Ose do na duhet të qetësojmë ndërgjegjen, ose do të na duhet të përpiqemi ta imitojmë Nënën Terezë sa të mundemi. Zgjidhje tjetër nuk ka!

E mirepresim mendimin tuaj: