A mund të ndryshosh ti, të lutem?

kuturuKulture Shqiptare, Pub-istikë0 Comments

Skicë Pothuajse-Humoristike rreth Ndryshimit!

Merreni po aq seriozisht sa ç’po e marr unë!

Ndrysho! Ti duhet të ndryshosh! 

E mbaj mend këtë thirrje që kur u bëra i ndërgjegjshëm që veprimet e mia shkaktonin lëndim te të tjerët. Më duhet ta theksoj, se veprimet e mia lëndonin të tjerët, pavarësisht se në brendësi të asaj zemre kishte motive të mira… aq të mira, sa ndonjëherë zemra nuk dukej fare si e imja!

Që nga ajo kohë kur isha vetë fëmijë e deri tani, pas më shumë se 35 vitesh, kur kam vetë fëmijë, thirrja ka vazhduar të jetë e njëjtë: Ndrysho!

Madje edhe vetë fëmija im, kur i kërkova të ndryshojë sjelljen përpara ca ditësh për një reagim të papërshtatshm (si ato të mijat kur isha i vogël!) më tha: Po ti, pse sillesh ashtu si sillesh? A nuk ndryshon dot ti përpara se të ndryshoj unë?

Epo, thashë me vete, mirë kur e kisha rradhën për të folur i fundit që më ngelte mua përgjegjësia e të ndryshuarit, po tani, që jam i pari i familjes, prapë, mbi mua do të bjerë pesha e kërkesës për ndryshim?

Dhe si përfundim, e vendosa: Nuk do të ndryshoj! Fare! Të paktën për një farë kohe!

Unë do të vazhdoj të qëndroj kështu siç jam.

Tani për tani, po ju lë ju rradhën të bëni atë që keni dëshiruar me aq zjarr ta bëj unë, të ndryshoni! Në fund të fundit, a nuk më doni të mirën duke më kërkuar që të jem tjetër njeri?

Edhe unë po jua kthej “të mirën” me të njëjtën monedhë, duke ju dashur ju më të mirë se vetja, po ju kërkoj të ndryshoni ju përpara!

Nga sot, deri në një afat të pacaktuar, ju lutem, të gjithëve ju miq e familjarë, bashkëpunëtorë e moderatorë programesh televizive, kandidatë për deputetë që flisni bukur e rrjedhshëm e ju kandidatë për deputetë që na mallkoni pse s’ndryshojmë bindjet politike, të gjithë ju miq që më shkruani në Skype e Facebook duke më kritikuar se nuk rri shumë online, e deri te ju të tjerët që keni merak se mos ju shkruaj ndonjë fjalë kur ju shoh unë ju online, të gjithë pa përjashtim, në vend që të më kërkoni mua të ndryshoj, ju lutem, ndryshoni vetë!

Shkova tani të vazhdoj punët që kam bërë përherë, që nga koha kur më kërkuan të ndryshoj herën e parë!

E mirepresim mendimin tuaj: