Morali si një “stoli” (e shëmtuar) për sytë e të tjerëve

kuturuKrim-tari0 Comments

Morali është sot fjalë më fetare në gjuhën shqipe.

Kemi kaluar nga koha e përflitjes së ndërtimit të moralit komunist komunitar, ku autoriteti moral është pushteti proletar, në shthurjen e çdo themeli ku mund të ndërtohen parimet morale.

Kuptohet që ndryshimi më i madh nga i pari në të dytin, është themeli! Duke i rënë me shkelm themelit të së keqes së komunizmit, kemi shembur edhe mundësinë për çdo lloj themeli tjetër të mundshëm për të ndërtuar një strehë morale të vlefshme për shoqërinë ku jetojmë.

A jemi kaq keq për themel? Kriza nuk ka të bëjë me mungesën e themelit.

Në fakt, Zoti do të ishte themeli i duhur, dhe i vetmi themel që siguron barazi për të gjithë, dënim të padrejtësisë dhe shpërblim të së mirës, i vetmi themel që garanton të gjitha vlerat për të cilat kemi nevojë: dashuri, mirësi, kujdes, barazi, dhe madje edhe ndëshkim krejtësisht të paanshëm.

Por problemi është që Zoti si themel nuk është tërheqës. Zoti është prapanik për një shoqëri si e jona, e zhvilluar, në kufinjtë e Europës së bashkuar, me filozofë, politikanë, profesorë, arsimtarë, artistë pothuajse të zhvilluar… si e gjithë bota!!!

Themelet e tjera nuk mjaftojnë ose thjesht janë përsëritje e së njëjtit gabim.

Si rrjedhojë, kemi ngelur pa moral! Ose, nëse ke moral, ky duhet të jetë prapanik e fetar! Ndaj morali është një fjalë fetare, në kuptimin e mentalitetit të shoqërisë shqiptare të sotme.

Dhe gjithçka duhet të ishte në rregull… derisa dëgjojmë për krime të llahtarshme, si vrasja e një vajze, që del që ishte 18 vjeç, që kishte studiuar në medrese, që madje ishte përfshirë në marrëdhënie intime me një burrë të vjetër, e që kishte ngelur shtatzanë, e si rrjedhojë “bamirësi” i saj, thjesht i është bindur “porosisë” së vajzës për të mos u turpëruar në publik, duke e “nxitur” që ta vrasë, e pastaj mësojmë që babai i vajzës edhe mund të ketë pasur dijeni, edhe s’mund të ketë pasur dijeni, edhe e varros trupin e vajzës me nderet e duhura, por edhe ndihet mjaftueshëm i turpëruar sa të mos e varrosë fare…

Dhe tragjedia më e madhe, që vijon, është që të gjitha analizat që vijojnë ngjarjen, janë një përzierje mish-mashi mendimesh kundërthënëse, të botuara e të pabotuara, që nuk na çojnë askund… Dhe pastaj vijon heshtja! (Jo më kot prita më shumë disa ditë për të parë se çfarë do të thoshte shtypi një javë pas ngjarjes) Dhe pastaj, duket sikur, analistët, edhe njëherë, presin përpara filxhanit të makiatos me qumësht të ftohtë, derisa të dalë në televizor një ngjarje tjetër… dhe kanë dalë disa që nga ajo ditë!!!

Tmerri i një shoqërie nuk janë ngjarjet e rënda por reagimi i mefshtë i “moralistëve pa moral” ndaj ngjarjes së rëndë.

Për ta mbyllur, dje lexova një reagim të banorëve të fshatit në Mallakastër ku ndodhi vrasja e një çifti dhe djegia e shtëpisë së tyre. Sipas reagimit që lexova, banorët e fshatit kërkuan dënimin me vdekje të autorëve, ose në mungesë të kësaj mundësia, banorët do të merrni vetë hakun për vdekjen e të afërmve të tyre…

Unë nuk jam dakord me thelbin e kërkesës së banorëve. Por jam dakord me thelbin e reagimit.

Nëse një shoqëri, nuk gjen mjaftueshëm “tokë të përbashkët” për të reaguar ndaj së keqes dhe për të vlerësuar të mirën, atëherë është pothuajse e pamundur të kesh një moral të përbashkët… Atëherë e kthejmë shoqërinë në një tokë të më-të-fortit dhe na ruaj Zot nga rradha e vdekjes së pamerituar!

Disa sociologë amerikanë, kanë arritur në përfundimin që mungesa e reagimit ndaj së keqes quhet “Sindroma Xhenoveze” (efekti i “qëndrimtarit”), i nxitur nga një rast në Nju Jork, ku një grua u vra, dhe rreth 30 njerëz dëgjuan zhurmat (në masa të ndryshme) por nuk reaguan! Arsyet e mungesës së reagimit janë të ndryshme – por, në rastin tonë, ma merr mendja që arsyeja kryesore është një shoqëri apatike, që pasi e ka përzënë Zotin si themelin e vërtetë të moralit, tani s’gjen dot shkop ku të mbahet.

Në pritje të asaj dite, Zot, na rikthe mendtë që të të mos shikojmë ty si “moralist me mjekër të bardhë e krejt i painteresuar” por si Ai që je, që do të bësh të paguajnë një më një të gjitha të këqijat që janë kryer në këtë botë, duke përfshirë edhe krimin mostruoz kryer ndaj Ajshe Vatës…

E mirepresim mendimin tuaj: