Frika absurde e mbipeshës?

kuturuPo-e-Zi0 Comments

Në përgjithësi, të krijohet përshtypja që studimet, thjesht konfirmojnë idetë që qarkullojnë si të vërteta edhe përpara se të dalë në dritë studimi. Edhe pastaj vjen ndonjë “rrufe në qiell të hapur”, një studim që thotë krejt të kundërtën.

Një studim i tillë, në fakt, një kombinim studimesh me më shumë se tre milion persona të përfshirë në gati 12 vende të ndryshme, i tillë u botua javës së fundit nga Revista e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë.

Studimi doli në përfundimin që egziston një lidhje mes peshës trupore dhe rrezikut të vdekjes, por krejt ndryshe nga ç’mendohej, kategoritë e personave që janë mbipeshë (obezë) kanë një rrezik vdekshmërie më të ulët se individët të ashtu-quajtur me peshë normale.

Në peshimin e fundit të muajit Dhjetor unë isha 10 kg mbi peshën normale, të paktën sipas peshores së farmacisë në pallatin tonë. Kisha vendosur të peshohem çdo muaj, por, pas këtyre ditëve festive (ki parasysh, mish gjithandej e sallatë ruse!) po mendoja ta anashkaloj një muaj. Nuk është se kam frikë nga mbipesha, por kam merak reagimin ritmik të zemrës kur të shikoj numrat!

Tani, që lexova rreth studimit, po mendoja, nëse do të isha peshuar, e do të kisha shtuar më shumë në peshë, do “të kisha vdekur” kot! Edhe njerëzit do të thoshin, “I shkreti, vdiq nga mbipesha!”

Le të kthehemi në realitet personal: Unë nuk e kam problem peshën… aq shumë sa ç’duket. Por kam problem merakun krejtësisht jo të shëndetshëm që vjen nga presione të kësaj bote, presione që e thënë troç, jo vetëm janë të dëmshme dhe të forta, por janë edhe shpesh krejtësisht jo të mbështetura shkencërisht.

Pse është përhapur kaq shumë ideja që mbipesha është një problem, aq sa një studim që thotë të kundërtën, na duket i sajuar?

Pol Kampos, profesor i ligjit në Universitetin e Kolorados dhe autori i librit “Miti i Mbipeshës: Pse fiksimi i Amerikës me Shëndetin është i dëmshëm për shëndetin tënd”, theksoi në një artikull të “Nju Jork Tajms” se, arsyet e kësaj historie lidhen me të konsideruarit e “dobësinë trupore”, një shenjë e klasit të lartë shoqëror, dhe një reflektim i idealit të bukurisë që sjell privilegje publike. Dhe natyrshëm, industria farmaceutike e humbjes së peshës, që fiton miliona dollarë, ka gisht në këtë “realitet”.

Si përfundim, hani sa më shëndetshëm që mundeni, se studimet shkojnë e vijnë. Kënaquni me trupin që keni, dhe mos harroni se të gjithë vdesin! Pavarësisht nga pesha trupore! Prandaj, këshilla e një Pali tjetër, që gjithashtu ishte profesor ligji ka kuptim edhe sot, kur tha: “… ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.” Dhe pastaj, në të njëjtën rrjedhë, theksoi arsyet Perëndishmëria ka vlerë: “Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.”

E mirepresim mendimin tuaj: