Letër një polici privat

kuturuPub-istikë0 Comments

I dashur polic privat,

Që të shoh shpesh sepse punon afër vendit ku punoj unë por nuk flasim sa ç’shihemi.

U bë shkas të të shkruaj ajo biseda jonë disa-minutëshe që bëmë sot krejt rastësisht, kur parkova përpara ndërtesës zyrtare për të cilën kujdesesh. Që të sqarohem që në fillim, letra nuk u nxit nga ideja se ti më kërkove “një kafe” për parkimin, as sepse pasi refuzova edhe isha gati të largohem për të parkuar diku tjetër ti me “zemërgjërësi” me le që të parkoja aty ku isha, as sepse provove të më “prekësh në sedër” kur pasi më le të parkoja, më kërkove llogari pse nuk të pagove 500 lekët (shpresoj të vjetra i dashur polic, se të reja as nuk kisha me vete ndoshta!), as sepse u ofendova nga shprehja që përdore duke më thënë “as 500 lekë nuk i paske? Ti thuaj më mirë, s’kam lekë edhe e kuptojmë situatën!”. Nga kjo e fundit nuk ofendohem i dashur mik, sepse ndryshe nga ç’mendon ti, unë mendoj që s’ka gjë të keqe të mos kesh para në xhep, e s’ka asnjë gjë të keqe që të kesh shumë. Ma merr mendja që e keqja shkon përtej shifrave që na ndodhen në xhep, më përtej lëkurës sonë madje, aty ku kryqëzohen damarët e gjakut që na japin jetë me ato fije mendimi që na bëjnë njeri!

Po e shkruaj këtë “letër” i dashur mik sepse kur më kërkove para u gjeta i befasuar nga mungesa e përgjigjes sime. Ngaqë isha me nxitim, një fije truri më tha të të jap ato 500 lekë e të shkoj për atje ku isha nisur. Por pastaj mendova që kostoja e veprimit nuk ishte thjesht 500 lekë. Dy fëmijët e mi që janë 8 e 5 vjeç me siguri do të më pyesnin: “Çfarë i dhe atij xhaxhi policit, babi?” Si t’ju përgjigjem atyre? I dhashë xhaxhi policit 500 lekë sepse kishte ngelur pa bukë? Sepse kaq kushton kostoja e parkimit në atë vend? Apo sepse thjesht vendosa të bëj një gjë të padrejtë? Pastaj kisha me vete edhe kushëririn e gruas sime, që gjithashtu do të mendonte – krejt ndryshe nga bisedat që bëjmë përditë – që unë “jam si gjithë të tjerët”: sot jap 500 lekë, nesër jap më shumë, e pasnesër, kur të më vish ti i dashur polic privat për një nder tek unë, unë do të të marr sa të mundem. Kështu bëjnë disa. Por desha thjesht ti tregoj kushëririt që unë nuk i jap padrejtësisht as 500 lekë.

Dhe e fundit, i dashur mik, kur më pyete pse nuk të dhashë lekët tu përgjigja shkurt e saktë “se unë jam besimtar i krishterë dhe të të jap para në dorë shkon ndesh me mësimet që ju jap të tjerëve në këtë fushë” ti mu përgjigje shkurt e bukur “Zoti të bekoftë! Edhe unë jam katolik!” Mesa kuptova përgjigja jote nënkuptonte që pavarësisht se të dy i besojmë Zotit (unë i krishterë e ti katolik!) kjo nuk do të thotë që s’japim dot ca para nën dorë. Këtu kemi një keqkuptim që duhet sqaruar. Nëse je besimtar i krishterë, nuk duhet të bësh padrejtësi, qoftë edhe duke filluar nga 500 lekëshi. I dashur mik, po të kishim pasur ca kohë e të kishim folur si miq, duhet të të tregoja që të jesh i krishterë do të thotë që i ndjek me besnikëri mësimet e Krishtit për jetën, edhe i bindesh sinqerisht atij. Nuk mjafton ti vësh emra vetes “katolik” a “ortodoks” a gjithçka tjetër. Mjafton të ndjekësh atë që duhet!

E shikon, i dashur mik, që nuk është thjesht punë “500 lekësh”… Është më e thellë se kaq… Në fund, të uroj sinqerisht që të gjesh një punë më të mire ose të të rritet rroga që edhe ti të mos e vësh veten në siklet për 500 lekë…

E mirepresim mendimin tuaj: