Kur bërtet media…

kuturuMedia, Uncategorized, Viz-Kuturu0 Comments

Përse bërtet MEDIA?!

Shënim:

Mendimet më poshtë janë shkruar nga Ilir Vreta. Iliri ka punuar në disa media shqiptare. Tani jeton në Norvegji. Punën e tij mediatike mund ta ndiqni në Facebook, te Perspective Media Production.

Përpara disa ditësh, Iliri shkroi një reagim ndaj kronikave të TV Top-Channel në lidhje me keqedukimin e brezave të rinj, kryesisht për shkak të dhunës së transmetuar nga muzika moderne shqiptare e Hip-Hopit. Më poshtë mund të lexoni vazhdimin e mendimit të Ilirit. Me këtë rast, duam të theksojmë se reagimi ynë nuk ka për qëllim të sulmojë asnjë media, por t’i tërheqë vëmendjen mediave për rolin që duhet të ketë realisht në ndërtimin e një shoqërie me vlera.

Një shoqëri ka disa mundësi të edukohet dhe arsimohet:

  1. Familja (kryesisht prindërit). 2. Institucionet Arsimore (çerdhe, kopësht, shkolla). 3. Media (Gazeta, Televizione, Radio, së fundmi edhe rrjetet sociale) 4. Shoqëria ( Ambjentet ku jetojmë dhe njerëzit rreth nesh).

Ne dolëm nga izolimi 50-vjeçar dhe shpërlarje truri.

Kur u liruam, nuk dinim nga ti kthenim sytë, sepse brezi i prindërve tanë ishin gjysmë të ndikuar nga komunizmi dhe gjysmë nga liria që sapo kishte trokitur.

E meqë na kishin mohuar çdo gjë, dëshira jonë e parë ishte të bënim çfarë të donim. Nuk donim rregulla me! Prishëm gjithçka të rregjimit të kaluar – pa menduar se po shkatërronim paratë e burimet tona. Madje dhe mbeturinat i hidhnim gjithandej, sepse brenda nesh kishte një dëshirë për liri, të cilën s’dinim si ta përdornim.

Por mbi të gjitha varfëria e rregjimit na kishte bërë të uritur për para, ndaj, o burra të ndryshonim gjithë këtë situatë. E kuptoj gjithë këtë por një gjë që nuk ndryshuam si shoqëri ishte idealizmi… kishim nevojë për idhuj sepse ai i komunizmit ishte rrëzuar. Kështu që i pari që mori pushtetin, e bëmë IDHULL. E pas kësaj, kur i pari qeveritar na drejtoi drejt rrënimit, ne prapë, atë e të tjerë pas tij, nxituam t’i vendosim në krye të punëve.

Bashkë me të erdhën dhe gjithë Mediat e mundshme.

Familja ishte në Krizë. Arsimi në Krizë.  Shoqëria në Krizë. MEDIA, që u shfaq përkrah pushtetit, nuk kishte ndërmend të edukonte por kishte në plan të pasurohej.

Media ndërtoi aleanca me pushtetin. E vuri publikun nën presionin e mendimeve të saj, e drejtoi keq dhe shfrytëzoi pushtetin në funksion të qëllimeve të veta.

Ky bashkim “pushtetesh” qeveritare dhe mediatike, solli rritjen e nivelit të korrupsionit.

Korrupsioni, pastaj sjell humbje shprese. Nxit nevojën për të patur burime financiare me çdo kusht, që të mund të mbijetosh.

Problemi bazë i korrupsionit është kthimi i investimit të tij tek të gjithë. Nëse do të japësh para si student i mjekësisë, nesër do të jesh në një pozicion, ku duhet të kurosh njerëz. Mundësitë janë që të kurosh njerëzit e tu, ata të cilët i pagove për të marrë provimet. E do të kurosh edhe të tjerë, të pafajshëm, që s’kanë lidhje fare me këtë histori, por do të paguajnë çmimin e shtrenjtë të degradimit të korrupsionit.

Medias shqiptare i pëlqeu të fitonte shpejt, të bënte aleanca me politikën që të fitonte akoma më shumë, të MOS EDUKONTE por të EDUKONTE KEQ sepse donte të fitonte shpejt. E ndodh që këta “produkte” që vetë kjo media i ka rritur e ushqyer, tani, që s’kanë nevojë për atë mbështetje fillestare, bëhen “të mëdhenj” e vazhdojnë të shpërndajnë farën e urrejtjes e të dhunës, të cilën vetë media e kritikon… por shumë vonë!

 

Media kujtohet tani dhe BERTET! Po në fakt bërtet përsëri duke nxjerrë në pah inatin se pse dikush ikën nga platforma e tyre dhe jo sepse ka interes t’i tregojë publikut se kjo rryme vërtet nxit dhunë e shkatërrim.

Ndaj unë se përkrah dot këtë media kur thotë se shoqëria i ka fajet pse e ndjek këtë rrymë, madje protestoj ndaj këtij reagimi – ose reagimeve të ngjashme të cilësdo media –  duket i kujtuar se ka fituar keqas, edukuar KEQ dhe tani nuk shkon të kritikosh shoqërinë e pa civilizuar, e mua si pjesë të kësaj shoqërie.

Eshtë koha për të ndryshuar qëndrim e mbi të gjitha mos BERTIT pa lodhje!

Ilir Vreta

E mirepresim mendimin tuaj: