Falja e Kombëtares dhe një lutje për Kombëtarët!

kuturuBesim, Tent-a-tivë0 Comments

Ndeshja e kombëtares kundër Armenisë ishte fantastike. Në ankth, si çdo ndeshje e madhe, por loja mbaron në fund! Dhe fundi ishte i ëmbël për ne.
Pasi marrim pikët, nga aspekti sportiv, i kemi sytë nga ndeshja tjetër. Nga aspekti i komenteve pas-ndeshjes, po bien në sy komente jo të lidhura me temën e sportit.
Dhe krye-komentet kanë lidhje me faljen e lojtarëve në xhami përpara ndeshjes, lutjen e De Biazit në kishë, faljen e Mavrajt në fushë pas golit, lutjen publike drejtuar Zotit të Shakohoxhës dhe rolin e Zotit vetë në fitoren e kombëtares sonë.mavraj_lutja
Si një pothuajse ekspert në fushën e besimit dhe amator në rrafshin sportiv, vendosa të them fjalën time rreth kësaj teme.

Futbolli është në rradhë të parë një ndeshje sportive mbështetur në aftësitë e lojtarëve.

Më duket krejtësisht budallallëk të them shembuj por duhen përmendur ca: Unë jam besimtar i madh, por futbollist i vogël. Po të ishte se fitoja ndeshje përmes besimit, me siguri do t’i kisha fituar tashmë. Por nuk i fitoj dot. Sepse nuk jam stërvitur aq sa duhet.

Po të ishte për besim te Zoti, kombëtarja jonë duhet të kishte fituar shumë ndeshje. Se, besimtarët sportistë nuk na kanë munguar, sportistët e mirë, po, ata na kanë munguar rregullisht.

Besimi i futbollistëve është një çështje e tyre private.

Dhe ka ikur koha kur dikush ndalon besimin e dikujt e aq më tepër, shpalljen publike të besimit! Por, mos u nxitoni, ju besimtarë të të gjitha kaheve për të shpallur njëjësinë kombëtare të besimit të disave. Sepse të gjithë do të dalim të gabuar. Futbollistët kanë edhe lirinë të ndryshojnë besimin e tyre, e më mirë të mos rrezikojmë shumë për zhgënjim personal kur ata të mos jenë dakord me ne. As ata që kanë shprehur ca rezerva ndaj shprehjes publike të besimit të disave, s’kanë përse shqetësohen.

Cdo njeri ka të drejtë të shprehë besimin e tij, madje edhe publikisht. Kjo nuk ka pse të sjellë frikë nga palët e tjera e të mos ndjehemi të përfaqësuar ne që mendojmë ndryshe nga futbollistët!

Kam veç një merak (edhe është një merak krejtësisht i paarsyeshëm tani për tani!) por ngelet merak gjithsesi: shpresoj të mos vijë koha kur disa prej futbollistëve, të refuzohen të marrin pjesë në kombëtare për shkak të bindjeve të tyre të besimit ose mosbesimit! Kjo do të ishte pastaj realisht një lojë sportive me karakter anti-sportiv! Edhe kjo ditë nuk duhet të vijë!

Të tjerat, përsa kohë kombëtarja jonë bën më të mirën në fushën e lojës, unë them ti mbështesim…

Edhe deri tani po ia vlen!

Lutja ime për “kombëtarët” është që do të dijmë të kërkojmë përgjigje personale me vlerë rreth fushës së besimit pavarësisht nga presioni social për të kërkuar e për të mos kërkuar, që do të dallojmë sportin e punën e vazhdueshme dhe rolin e besimit në këtë proces, që nuk do ti ngatërrojmë këto të dyja, e që do të njihemi si një komb që bëjmë më të mirën edhe e njohim më të mirën!

E mirepresim mendimin tuaj: