Kohë e Mbrapshtë e Çoroditur…

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Para dy-tre ditësh, një burrë mbi të pesëdhjetat, vrau veten pas një grindje me siç-u-tha-publikisht të dashurën e tij 21 vjeçare, studente në universitet. Misteri vazhdon… dhe misteri i parë ka lidhje me arsyet pse e bashkojnë bashkë në një lidhje dashurie (gjithmonë duke i besuar shtypit tonë-që me këtë rast duhet thënë që akoma është shumë joprofesional në raport me vërtetësinë e lajmit që pasqyrojnë!) një 52 vjeçar dhe një 21 vjeçare?

Dje lexova një artikull për një rreth prostitucioni të ashtuquajtur “Prostitutat e Luksit në Tiranë”. Në këtë rast “luksi” ka të bëjë me statusin e lartë shoqëror e financiar të klientëve! Femrat në fjalë, gjithmonë sipas artikullit, nuk është “që vuajnë për bukë” por e kryejnë këtë punë për përfitime shtesë!

Dhe sot, një artikull tjetër, po mbi prostitucionin, ku flitet për vajza shqiptare që kryejnë këto shërbime në Ohër të Maqedonisë, me klientë me status të lartë shoqëror, e madje edhe me targa shtetërore, të baltosura për të mos u dalluar. Kuptohet, edhe këtu, bëhet fjalë për klientë që janë gati të paguajnë shuma të majme. Një nga tregtarët e justifikoi me këto fjalë, të cituar në artikull, nevojën e vajzave për të fituar para në këtë mënyrë:

“Çfarë t’i bësh, jemi në kapitalizëm, ka forma të ndryshme se si mund të djersish që të nxjerrish lekët.”

Këto histori, kanë qindra kënde që duhen diskutuar e nxjerrë konkluzione, sa do ia vlente një blog që i kushtohet vetëm kësaj çështje… Në mungesë të hapësirës e kohës, po theksoj vetëm disa që më vijnë ndërmend ashtu kuturu:

  • Kapitalizmi nuk është liçencë për imoralitet. Ndaj nuk është as faji i ndonjë sistemi e as nxitja e po të njëjtit sistem që i çon njerëzit në zgjedhje përtej arsyeshmërisë. Eshtë prirja e njeriut për të shkelur me këmbë vetveten që çon në imoralitet… Eshtë një prirje që është vështirë – në mos e pamundur – të riparohet vetëm me një dëshirë për të qënë të moralshëm.
  • Ndonjëherë mendojmë që të pasurit para, do të të bëjë më të virtytshëm. Duket qartë se virtytshmëria nuk është domosdoshmërisht e lidhur me të ardhurat financiare. Dhe e kundërta: as e lidhur me mungesën e të ardhurave financiare.

Me ose pa para, ndoshta është koha të fillosh të ndërtosh një karakter që do të të mbrojë edhe kur të kesh para e vetura VIP.

  • Kur na qenka thjesht një aktivitet i zakonshëm i kapitalizmit, pse vajzat në fotografi mbulojnë fytyrën, e zotërinjtë konsumues të trupave të tyre, largohen herët nga këto lokale e vënë syze të errëta që të mos njihen? Por edhe sikur të dilnin, prapë, shumë prej nesh, me plot të drejtë, do të mendonim që ka diçka që s’shkon në këto përfshirje – jo për ne spektatorët, por për vetë ata që janë të përfshirë.
  • Më duket krejtësisht ironike – në mënyrë të pabesueshme ironike – që gazetat që na i raportojnë këto histori, pothuajse ngjitur me raportin, pasqyrojnë hapur edhe copëza lakuriqe të tjerë VIP-ave, por këtë rradhë në emër të pasqyrimit të së vërtetës së botës së Show-Biz-it botëror… Domethënë, prostitucioni fshehtas në lokalet e Maqedonisë është problem i madh, ndërsa prostitucioni i hapur në faqet e gazetave, me lakuriqësi të kuruar gazetash e fotoshop-i, qënka art!

Hej, Zot, na ruaj! Se ne vetë jemi si ata…! Unë e hodha gurin vetë i pari…

E mirepresim mendimin tuaj: