Kisha e Përmetit dhe Kisha e Jezuit

kuturuBesim, Kulture Shqiptare, Po-e-Zi0 Comments

Le ta fillojmë me ca sqarime paraprake: Thelbi i çështjes në Përmet është dukshëm i ndërlikuar, me halle që shkojnë përtej një ndërtese kishe e përtej kthimit të pronave të grabitura; e që akoma s’janë kthyer te të zotët. Gjithashtu, ka edhe një mori aspektesh të lidhura me funksionimin e shtetit, e të kishës në një vend si Shqipëria që duhen trajtuar mirë. Përveç kësaj, ka edhe një kontekst ndërshtetëror që duhet parë me kujdes. E në fund, ka edhe një kontekst politik, që s’duhet lënë mënjanë…

Unë s’dua të ngatërrohem me asnjë prej këndvështrimeve të mësipërme, sepse nuk jam ekspert i këtyre fushave por as nuk kam informacion të mjaftueshëm të dorës së parë për to.

Mua më bën pështypje vetëm një paralelizëm (krejt të dukshëm për ata që kanë informacion rreth ngjarjeve historike) mes dy kishave që kam përmendur që në titull:

  • Kisha e Përmetit po na jep pamje të priftërinjve që janë gati të përplasen edhe fizikisht për të marrë atë që ju takon (duke hamendësuar që pretendimi i tyre është i saktë).
  • Jezui vetë, siç na e tregon saktë historia biblike, bëri gjithçka për ta dorëzuar atë që i takonte.

 

  • Një turmë e madhe qytetarësh po i dalin në mbrojtje kishës e priftërinjve, duke kundërshtuar padrejtësinë.
  • Jezui shkoi drejt kryqit “Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.” Kështu e përshkruan një profet rrugën e Jezuit drejt sakrifikimit.

 

  • Kisha e Përmetit po përpiqet të fitojë një truall ndërtimi, me shpresën se aty do të ndërtohet një ndërtesë e madhe ku do të banojë prania e Zotit dhe do të jetë një vend adhurimi për besimtarët.
  • Jezui po përpiqej të fitonte zemrat e njerëzve, që të mund të ktheheshin nga adhurimi i pavlerë i ndërtesave që kishin dalë jashtë funksionit, sepse një adhurim i Perëndisë pa zemrën dhe njohurinë e duhur, pavarësisht se vlerësohet shumë nga njerëzit, nuk i bën përshtypje fare Perëndisë! Kështu thotë Bibla të paktën!

 

  • Kisha e Përmetit në fund, ka gjasa (ky është thjesht mendimi im!) që do ta marrë truallin edhe ndërtesën. Por nga sa pashë sot reagime në Facebook, i ka humbur disa njerëz.
  • Jezui prej mijëra vjetësh, ka humbur shumë ndërtesa… madje edhe trupin e tij e dha si sakrificë… Por ka fituar shumë njerëz, e do të vazhdojë të fitojë shumë të tjera!

P. S. Unë nuk po ju sygjeroj asnjë gjë priftërinjve të Kishës në Përmet. Vetëm bëra ca vëzhgime që jam gati ti mbroj edhe teologjikisht nëse është nevoja!!!

 

E mirepresim mendimin tuaj: