Integriteti… ose kur njeriu fle rehat!

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Kulmi!
Aty ku s’mban më! Një pështjellim i mendjeve “të larta” që duket se sjell një klimë “frike” te të poshtmit, normalët, që s’janë pjesë e atyre pazareve përveç kakofonisë së opinioneve të panumërta e të pasakta të kuzhinës mediatike shqiptare.
Shkruajta “duket se sjell” – dhe e shkruajta me qëllim!
Sepse në realitet, nuk sjell asnjë pështjellim!
Ja arsyet:
Në Shqipëri ka dy grupe njerëzish – ndoshta ka më shumë se dy, por unë kam të drejtë të përdor aritmetikën time!!!
Një grup njerëzish, që janë përzier në punëra të paqarta – duke përzier punën me djersë që iu takon, me përfitimet në kurriz të të tjerëve, përfitime që nuk iu takojnë!
Dhe grupi i dytë, janë njerëz që përpiqen të jetojnë me integritet – duke punuar përditë, e duke marrë vetëm atë që iu takon.
Motivet nuk më interesojnë në këtë kontekst analize. Më intereson vetëm që ka dy grupe! Dhe kaq!

Në grupin e dytë, disa (që janë shumë shqiptarë në fakt!), në pjesën më të madhe të kohës i mundon shumë ironia e vazhdueshme nga grupi i parë, që si një këmbanë që s’pushon kurrë së cingëllituri, iu thotë: “sa të pazotë që jeni ju! ne po pasurohemi – thonë të parët, “të lartët”, kurse ju po zvarriteni në një jetë të pajetueshme! Ne po e shtojmë bollëkun e atyre që kemi – dhe barqet tona rrumbullake po fryhen më shumë, sa po na rritet numri i pantallonave dhe shkëlqimi i fustaneve dita-ditës, kurse ju po zvarriteni duke kërkuar “bukën e përditshme”…”
Ky cingëllim nerv-acarues deri në përbuzje, ka kohë që vazhdon…
Dhe shumë i lëshon zemra drejt heqjes dorë nga të punuarit me djersën e tyre, drejt përfitimeve të pandershme…
Por, në ditë si këto, kur nuk dallohet mirë se kush është vrasësi e kush është i vrari, në ditë si këto, kur paratë nuk i bëjnë punë dikujt aq sa t’ia sigurojnë paqen e rehatinë atij e familjes së tij, në ditë si këto ku duket se të gjitha ngjyrat e realitetit janë të zeza, pikërisht në ditë si këto ku sekëlldia e disave që kanë rendur pas kotësisë, iu kthehet kundër vetes së tyre, dhe realisht iua kthen gjithçka në kotësi, pikërisht në ditë si këto, ka prehje e paqe për ata që jetojnë me mundin e tyre e nuk i kanë borxh askujt (përveç borxhit ndaj bankave që është një borxh i ligjshëm!)
Në ditë si këto, të drejtët, thonë: “o të lartë, mbajeni për vete zullumet tuaja, lidhni për qafe gjerdanët e artë, drekat në sallone mondane, bamirësitë e shtirura për të rregulluar imazhin, tradhëtitë e imoralitetin tuaj, promovimet luksoze të librave tuaj pa vlerë, kollaret mijëradollarëshe, pasaportat diplomatike që iu hyjnë në punë vetëm për të ikur nga ky vend kur t’ju kërcënojnë bashkëpunëtorët… O të lartë, jua kemi lënë juve turpin dhe paratë… Ne të tjerëve, na mjafton që mund të flemë me një ndërgjegje të pastër… Dhe na mjafton një dush për të pastruar të papastrën që e kemi marrë sot mbi vete duke jetuar…”

Ky është integriteti… ose ndryshe “të jesh në gjendje të flesh rehat”!

E mirepresim mendimin tuaj: