Hajde, dalim të sqarohemi…

kuturuJeta Shqiptare, Viz-Kuturu0 Comments

Po lexoja komentet e vajzës që u qëllua në Vlorë nga shoku i klasës… Sipas gazetës Panorama, vajza është nxjerrë “në pritë” nga nëna e autorit, që gjithashtu është mësuesja e matematikës në shkollë… Sipas vajzës, nëna e autorit, ka ngulur këmbë që ata të “sqaroheshin”. Cfarë donte mësuesja e matematikës që të sqaronin nxënësit? A e di mësuesja e matematikës, kuptimin e shprehjes “dalim të sqarohemi”? Nëse ajo e di kuptimin “vlonjat” të shprehjes, atëherë ajo duhet akuzuar për nxitje të konfliktit…  Ose të paktën për neglizhencë.

Shprehjen “hajde të dalim të sqarohemi” e dëgjoja shpesh në kohën kur jetoja në Vlorë. Më poshtë vijo me një seri këshillash se si të silleni kur dëgjoni frazën “hajde të sqarohemi pak!”

Kujdes: Mos i merrni shumë seriozisht këshillat!

Kurdo që dëgjoni dikë që i thotë një tjetri, “hajde të sqarohemi pak!” merr në telefon policinë menjëherë. Fraza nuk ka kuptimin që duket por është një deklaratë kërcënuese dhe pararendëse e konfliktit.

Nëse dikush thotë që do të sqarohet me një të njohurin tënd, dhe të kërkon ndërmjetësim, refuzo të përfshihesh, dhe gjithashtu mbaj sytë hapur për të lajmëruar autoritetet.

Po të kërkoi dikush të sqarohesh në një vend të vetmuar, refuzo, dhe kërko takim në një ambient të hapur publik.

Nëse je zënë ngusht dhe nuk e refuzon dot “ftesën për sqarim”, vish antiplumb!

Dhe për ta mbyllur – më seriozisht sesa shkruajta deri tani, sepse ngjarja është tragjike nga mënyra se si është përshkruar nga nxënësja në intervistë, – përtej ndërgjegjësimit të publikut që kërkonte Ministri i Rendit mbrëmë në një intervistë televizive, na duhet një transformim rrënjësoj i shoqërisë, duke filluar nga nënat e mësuesit, që nuk i shikojnë fëmijët e tyre si pengesë e as si “padronë” që ju duhet plotësuar çdo kërkesë për sqarim…

P. S. Fotoja e artikullit është zgjedhur për efekt ironie :):):)

E mirepresim mendimin tuaj: