Tragje-kome-dia e futbollit shqiptar…

kuturuKulture Shqiptare, Tent-a-tivë0 Comments

Ndodhi shumë shpejt! Filloi me një gati-tragjedi: sherr masiv mes tifozerive të Tiranës dhe të Vllaznisë së Shkodrës. Pamjet ishin të plota edhe disa redaktorë lajmesh me siguri janë ndier rehat kur iu erdhi informacioni sepse edicionet e mbrëmjes gjetën material të bollshëm…

Pastaj filloi komedia!

Pjesa e parë e komedisë, ishin akuzat e tifozerive ndaj palës tjetër. Pak a shumë u shpreh kështu: na provokoi pala tjetër, ndaj ne reaguam! Dmth po të të thotë dikush një fjalë jo të mirë, merr hunjtë e bjeru… madje edhe fëmijëve, se e meritojnë.

Pjesa e dytë e komedisë: Një president, që u godit nga të tijët, deklaron se nuk u godit nga të tijët. Pamjet pastaj dalin në TV edhe presidenti me siguri e ka kuptuar që e kishte gabim. Komedia këtu nuk është deklarimi i presidentit, por që “të tijët janë të tillë që godasin edhe të tyret”.

Pjesa e tretë: futbollistët e Tiranës, iu dalin në mbrojtje tifozëve të tyre, me argumentin se janë tifozë të mirë, besnikë, fisnikë… të gjithë ishin në konkurencë ku të gjenin titujt bombastikë për të shprehur mirësinë e tifozëve. Hajde turp, hajde! Po ata gurët e ata stolat e ata sharjet që dëgjohen edhe në ekranin e TV, kush i hodhi? Këta fisnikët? Po ne që duam thjesht të shikojmë një ndeshje, por nuk shkojmë dot në stadium sepse këta fisnikët shajnë aq shumë sa është turp të marrësh kalamajtë me vete, për ne “të papastrit nga mendja”, çfarë mendojnë lojtarët e Tiranës? A të Vllaznisë? A të ndonjë klubi tjetër?

Pjesa e katërt: presidentët takohen edhe “falin gjakun”! Madje vendosin që bashkarisht të kërkojnë uljen e dënimit… Dmth u bë çfarë u bë, hajt ta harrojmë…

Unë shpresoj që dënimet nuk do të ulen, por më shumë se kaq, shpresoj që stadiumet vërtet do të mund të kthehen në një ambient familjar të këndshëm, ku mund të shkojnë të gjithë, jo vetëm ata që e duan skuadrën e tyre për qofte e raki, edhe e kanë fjalorin të cunguar në 10 sharje maksimumi…

Që të ndodhë kjo, duhet së pari, të ketë lojtarë dhe presidentë që janë ndryshe nga tifozët…

P. S. Mesa dëgjova, trajneri i Partizanit tha që s’mund ta imagjinojë derbin me Tiranën pa tifozë… Ma prishi gëzimin se unë po shpresoja që më në fund do të isha në gjendje të shikoj një ndeshje në stadium me djalin tim… pa ndryshuar fjalorin!

IMG_1787.JPG

E mirepresim mendimin tuaj: