Motivim, frikë dhe udhëheqje!

kuturuTent-a-tivë0 Comments

Unë e pëlqej futbollin. Po të kem mundësi, shikoj çdo ndeshje.

Tani që po rritem, përveç lojës, kam filluar të vë re aspekte të tjera të lojës – që më interesojnë sepse mund të më ndihmojnë në punën time. Në jetën time.

Për shembull, përpiqem të vë re si motivohen njerëzit. Sepse unë punoj me një grup njerëzish që kanë nevojë të motivohen herë pas here. Unë vetë dua të kuptoj si të motivoj veten.

Ose përpiqem të vë re aspekte të udhëheqjes në dinamikën e një skuadre futbolli. Si udhëhiqen lojtarët? A ka ndonjë shembull udhëheqje që mund të më mësojë mua të udhëheq më mirë? Të mësoj të tjerët të luajnë mirë – sepse këmbët e mia nuk mbajnë më? Kjo e fundit, ndërsa po shkruaj është literalisht e vërtetë, sepse kam vrarë këmbën në ndeshjen e fundit ku luajta vetë, por kjo është një temë tjetër.

Për këto arsyet që sa përmenda, mezi e kisha pritur ndeshjen mes Barcelonës dhe PSG. Nga konteksti ku do të zhvillohej ndeshja, kisha pritje për të mësuar veçanërisht në lidhje me reagimin e një grupi lojtarësh të klasit botëror kur përballen me një ndeshje të vështirë. Si do të motivohen? Kush do të udhëheqë?

Kuptohet, preferenca ime për lojën e Barcelonës, nuk ka pse të fshihet. Por përtej preferencës, isha i interesuar për të vëzhguar detaje të tjera. Dhe ja vëzhgimet (jo në rend sipas rëndësisë):

Skuadra më e mirë është ajo skuadër që luan mirë deri në fund

Mirë, këtu e kam fjalën, për dhënien e të gjitha energjive në fushën e lojës derisa të fërshëllejë arbitri. Dhe zakonisht ai që jep gjithçka në fushë shpërblehet. Si do të dukej loja e Barcelonës nëse ata dorëzohen pas minutës së 50-të? Pas minutës së 60-të? Pas minutës së 80-të? Pas minutës së 94-rt? Unë për vete isha dorëzuar pas minutës së 62-të, kur PSG shënoi. Fillova të merrem me diçka tjetër!

Loja mbaron kur mbaron. Deri atëherë, një “lojtar” nuk dorëzohet. Por bën më të mirën për veten, skuadrën, kontekstin ku kontribuon.

Frika është paralizuese

Dhe pashë shumë frikë mbrëmë nga skuadra franceze. Nuk e di nëse kanë folur për këtë aspekt si grup. Por, kishte një frikë të dukshme që e paralizoi të gjithë ekipin në disa çaste shumë delikate. Sipas statistikave të Eurosport, PSG-ja gjuajti vetëm katër herë topin në 10 minutat e fundit të ndeshjes, tre nga të cilat ishin rivënia e topit në lojë pas golave të Barcelonës.

Një lojë e luajtur me frikë nuk është lojë fare. Dhe si duket, frika i bën lojtarët e mëdhenj, të vegjël!

Lojtarët e mëdhenj, nuk janë të mëdhenj gjatë gjithë kohës. Por janë veçanërisht duke luajtur rolin kyç, kur skuadra ka nevojë dhe ndoshta e tregojnë veten në pikën më kritike.

Unë kam mendimin që Nejmar është një lojtar i madh. Por në shumë ndeshje nuk duket. Ndonjëherë duket shumë delikat. Por pikërisht kur skuadra ka nevojë për të, bën gjëra të jashtëzakonshme. Si në ndeshjen në fjalë, ku shënon dy herë dhe pason për gol, të treja këto në 10 minuta.

Në situata të vështira, kemi nevojë për udhëheqje të dalluar, që del në pah me iniciativë, dëshirë për të bërë atë që di të bësh më mirë, dhe ritëm të jashtëzakonshëm. Dua të jem ky lloj lojtari/udhëheqësi.

Përtej këtyre pikave që përmenda, ky lloj sporti, kjo lloj ndeshje, zakonisht, bën jehonë shumë përtej botës së futbollit. Ndaj ia vlen të shijohet për një kohë të gjatë.

E mirepresim mendimin tuaj: