Flamuj e Realitet

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Sot e pashë këtë foton. Nuk e verifikoj dot datën kur është bërë, por duket shumë aktuale. Fotoja më dha një pamje vizuale të mendimeve të mia të javës së fundit, sa herë që udhëtoj në rrugët e Tiranës, duke dalë nga shtëpia e deri në qendër të qytetit.

Flamujt e partive, simbolizojnë dukshëm dëshirën e secilës prej tyre për protagonizëm politik. Nga mënyra se si janë përhapur, dukshëm, secila parti (ose të paktën adhuruesit e tyre!) mendon që sa më shumë flamuj të dalin në rrugë, aq më shumë reputacion fiton partia. Mentalitet i ngjashëm me sipërfaqen e flamurit shqiptar në stadium gjatë ndeshjes Shqipëri – Norvegji të datës 7 Qershor 2013: sa më i madh flamuri në sipërfaqe, aq më e dukshme bëhet krenaria e të qënit pjesë e simbolikës së flamurit.

Vetëm që në rastin e flamurit kombëtar, duket se simbolika është e përshtatshme, ndërsa në rastin e flamujve të partive… s’e di!

Fotoja tregon një pamje surreale të realitetit. Të gjithë flamujt, për nga simbolika e papërshtatshme e tyre, por edhe nga shpenzimet marramendëse që kanë “ngrënë” derisa janë varur në shtyllë, në fakt janë duke “goditur” qytetarët përditë.

Goditja e parë është financiare. Para të shkuara dëm.

Goditja e dytë është simbolik. Flamujt, të shpërndarë në këtë masë në publik, bëhen shqetësuese për mentalitetin e një qytetari që po përpiqet të përdorë mendjen i pavarur nga ndikimet e reklamave politike. Nëse unë jam apolitik, ku e kam një ambient publik ku të jem i qetë të përdor mendjen për gjërat që mendoj që ia vlen të mendohen?

Goditja tjetër është dekorativ. Në rastin e 100 vjetorit, flamujt ishin një ngjyrë, të menduara mirë se ku do të vendoseshin (në çdo ballkon a dritare shtëpie), dhe kishin arsye. Ndërsa tani, problemi është që partitë nuk janë mbledhur bashkë që të koordinojnë ngjyrat, që edhe publiku të kënaqej me një lloj kombinimi të stilit Ylber…

Domethënë, flamujt estetikisht nuk shkojnë. Dhe e kanë dëmtuar dekorin publik të rrugëve.

Shpresoj që të mos bien më shumë shtylla mbi kokën e njerëzve… të paktën!

E mirepresim mendimin tuaj: