Kur festa e madhe bëhet më e vogël se e vogla…

kuturuTent-a-tivë0 Comments

Thuhet që të krishterët ia “vodhën” simbolet e Krishtlindjes një feste pagane.

Edhe nëse është e vërtetë, kjo thjesht tregon që Krishtlindja, fitoi aq popullaritet sa të ishte në gjendje të “rrëmbente” simbolet e një feste tjetër gjërësisht të njohur…

Dhe pastaj, qindra vite më vonë, një festë tjetër pagane, Viti i Ri, po i merr mbrapsht këto simbole! Pema e Krishtlindjes është kthyer në pemën e Vitit të Ri, ylli mbi pemë vendoset duke menduar që thjesht tregon yjet në qiell… e kështu me rradhë!

A duhet të krishterët të dalin “në shesh” për të kërkuar simbolet mbrapsht?

Ne e dimë – ose të paktën për aq sa dimë nga burimet që kemi – që Krishti s’e ka festuar ditëlindjen e tij ndonjëherë. Madje as ju ka kërkuar ndjekësve të tij ta festojnë ditëlindjen. Madje, edhe kur lindi, ishte i rrethuar nga… askush! Edhe ata që e rrethuan, nga historia, ishin të fokusuar më shumë në atë që do të përmbushte bebi Jezus, sesa në vetë bebin e mbështjellë në grazhd. Edhe dhuratat që iu ofruan foshnjes, nuk ishin lodra për të, por mbarnin një simbolikë të fortë për Jezusin si mbret dhe sakrifikues.

Krishtlindja (më saktë, vendimi i Hyjnisë vetë, më i forti i universit, për tu shndërruar krejt paradoksalisht në më të dobtin e universit, që të mund të shpëtonte më të dobtit e universit, njerëzit) është e vetmja arsye pse jo vetëm Krishtlindja përçon shpresë, por edhe të gjitha festat e tjera përçojnë dritë e shpresë, pavarësisht nga qëllimi fillestar i egzistencës së tyre.

Pa Krishtlindjen (ardhjen e Jezusit në botë), festa e Vitit të Ri do të ishte depresionuese.

Si mund të mezi-presësh të jetosh një vit të ri pa modelin e dashurisë sakrifikuese sipas shembullit të Jezusit? Ai na deshi edhe kur ishim armiq të tij. S’ka dashuri më të madhe sesa dikush të japë jetën e tij për dikë. Krishti e dha për ne!

Si mund të mezi-presësh të jetosh një vit të ri pa modelin e udhëheqjes së Jezusit, që u përball me padrejtësinë me përulje, që nuk përfitoi për veten mbi kurriz të të tjerëve, që nuk kërkoi të drejtën e tij por shkoi në thertore si një dele e bindur, që nuk shikon autoritetin si një mundësi për autoritarizëm e as si mundësi abuzimi ndaj të tjerëve? Shqiptarët kanë shembuj të dukshëm të udhëheqësve krejt në kundërshtim me modelin e Jezusit… por do të ishte tragjike për ne, nëse nuk do ta kishim shembullin e Jezusit, një shembull ku shohim me shpresë për të ardhmen.

E di, që ka plot njerëz që bëjnë gjëra të mira! Por s’po flasim për gjëra të mira – po flasim për një sistem të ri të menduari, krejt ndryshe nga realiteti ynë pa Jezusin. Por flasim për një sistem që vetëm Jezusi e jetësoi. Dhe thjesht na duhet ta ndjekim.

Edhe nëse festojmë Krishtlindjen, edhe nëse festojmë Vitin e Ri – a çdo lloj feste tjetër, pa shembullin e një hyjnie që vjen të ulet në nivelin tonë për të na kuptuar e për të na nxjerrë nga balta ku jemi zhytur, nuk do të kishte kuptim asnjë festë…

Ndaj gëzohuni në shpresën e Krisht-lindjes! Drita vjen prej tij!

Kur një burrë plak e pa foshnjen Jezus, e mori në dorë dhe e quajti “shpëtimi i Zotit… dritën për të ndriçuar kombet”.

Dhe një komb si i yni mund të ndriçohet vetëm prej tij.

Asnjë simbol nuk mund ti merret e ti jepet Krishtëlindjes – sepse vetë historia është e gjallë përtej simboleve, pemëve e yjsive. Këto simbole, kur përdoren për një festë pagane, janë thjesht si një hije e dashurisë dhe shpresës që kërkojmë. Krishti vetë, nuk është simbol – por është dashuria dhe shpresa vetë. Madje, është përkufizimi i të dyjave…

E mirepresim mendimin tuaj: