Kur deklarata personale publike nuk pi ujë…

kuturuTeknologji, Viz-Kuturu0 Comments

Shkurt: deklarata e supozuar që të jep të drejtë mbi postimet, fotografitë, të dhënat e tua personale, që këto ditë është lajmi i vetëm viral në Facebook në Shqipëri, nuk pi ujë! Eshtë thjesht një mashtrim… që merr përmasa virale.

Mesa kuptohet, shumë prej nesh, megjithëse kemi zgjedhur ti bashkohemi platformës Facebook për të qarë hallet, për të treguar pjata e shijshme që hamë (të paktën për festa), fotot gazmore të fëmijëve, e foto dasmash sa herë na martohen kushërinjtë, trupat tanë të nxirë nga pushime te fundit, e pra, megjithëse nuk e kemi fare problem t’ia tregojmë botës (pothuajse) gjithçka kemi bërë edhe kur ishim vetëm, prapë, jemi të shqetësuar shumë nga ideja se dikush tjetër, ka të drejtë mbi jetën tonë, pa ia dhënë ne këtë të drejtë.

Le ti sqarojmë ca pika me rradhë.

1. Ne ia kemi dhënë tashmë të drejtën Facebook-ut që të përdorë të dhënat tona.

Kuptohet që Facebook nuk ka interes të dijë se çfarë kam ngrënë unë për drekë, por ama prirjet e mia që dallohen nga postimet e mia, tashmë ia ka “shitur” kompanive reklamuese që ata të më “joshin” më lehtë. Kështu, që çfarë e ke postuar, tashmë i është dhënë palëve të treta. Zgjidhja është të dalësh fare nga rrjeti. Ose të qendrosh duke e ditur të vërtetën!

2. Ruajtja e fshehtësisë së të dhënave të tua, është kryesisht një çështje tregtare.

Me fjalë të tjera, ruaj të dhënat që mund të të çojnë te paratë që ke kursyer. Sepse dikush mund të të vjedhë të dhënat. Për të tjerat, mjafton të kesh një stil të kujdesshëm postimesh, dhe nuk ka arsye për të pasur frikë. Edhe përpara Facebook-ut, njerëzit dinin gjëra për ne, por nuk kishte ndonjë problem në thelb vetëm se të tjerët dinë.

3. Ruajtja e fshehtësisë shkon ndesh me ngritjen e statusit tonë shoqëror.

Dhe këtu shikoj një ekuilibër të vështirë për t’u arritur. Ne duam të na ruhen të fshehtat, por ama duam t’i tregojmë ca të fshehta që t’ju tregojmë të tjerëve se kush jemi. Nëse kam blerë një makinë të shtrenjtë, o burra, me vrap, t’ia tregoj botës, që ata ta dinë! Pavarësisht se ndoshta do të ishte mirë që të tjerët të mos dinë se kam para mjaftueshëm për të blerë një makinë! Ose pushimet që s’i bën dot kush si unë! Ose trupin tim, që edhe dua t’jua tregoj të tjerëve, edhe pse e kam merakun që ndoshta nuk është zgjedhja më e mirë e mundshme për të ardhmen time!

4. Fshehtësia absolute nuk egziston, por gjykimi i shëndoshë po!

Harroje deklaratën e fshehtësisë së të dhënave! Nuk funksionon! Por të postosh gjëra me vlerë për statusin tënd, të transmetosh vlera, të mos nxjerrësh fëmijët në faqe të botës kohë e pa kohë, të mos tallesh me të tjerët pa pushim, të mos tregosh vetëm “anën e mirë të jetës tënde” por të tregosh gjithë të vërtetën, dhe në fund të fundit, të mund të jesh i vlefshëm dhe unik, krejtësisht ti dhe të mos vësh askënd në rrezik, është krejtësisht e mundur edhe në botën tregtare të Facebook-ut.

Bonus: Nëse në përgjithësi, ke një arsye të fortë, që pas një postimi, përfiton ti por edhe komuniteti ku jeton, atëherë ka shumë mundësi të jesh në rrugën e duhur e askush nuk ka arsye të përfitojë nga të dhënat e tua personale! Në përgjithësi e kam fjalën!

E mirepresim mendimin tuaj: