Alba (Euro) – Vizion

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Si zakonisht!

Fillon rrëmuja. Një deklaratë ia kalon stafetën deklaratës tjetër dhe s’e merr vesh më i katërti të pestin!

Kujt t’i besosh?

Kompozitori nga Amerika e largët thotë që ai nuk është tërhequr vetë nga Eurovizion, por praktikisht, po sipas tij, ai nuk është përfshirë fare në proces, që pas datës 28 Dhjetor ku kënga u shpall fituese e festivalit.

Përpara deklaratës së tij, vura re një titull në disa të gazeta në versionin e tyre online, rreth “një mafie që kontrollon muzikën shqiptare” – duke nënkuptuar këtu që “mafia” këtë rradhë ia ka hequr këngën kompozitorit edhe ia ka dhënë dikujt tjetër.

Por kjo çështja e mafies, u përmend edhe në Dhjetor, ku u tha që kënga ishte paracaktuar për të fituar. Dmth i bie që Mafia kishte interes vetëm për këngëtaren dhe autorin e tekstit, por s’kishte lidhje me kompozitorin? Apo Mafia ka ndryshuar interesat, duke përjashtuar kompozitorin? C’është kjo mafie që ndryshon mendje?

Disa thanë që ky është një problem për Eurovizion-in, por vetë faqja në internet e festivalit europian të këngës, përveç një lajmërimi që kënga ka ndryshuar, nuk thekson ndonjë “thyerje rregullash”.

Në programin e Radio Tiranës sot, u përmend që këtu s’ka asnjë problem dhe çdo gjë ecën sipas planit.

E gjithë kjo rrëmujë alla-shqiptare, ngre vetëm ca pyetje për mua:

Si ka mundësi, në një vend me më pak se 3 milion banorë, nuk e merr vesh i pari të dytin?

A nuk kemi ndonjë gazetë/gazetar-e në Shqipëri, që mund ta hetojë këtë çështje edhe të na japë ndonjë përgjigje autoritative?

Përse duhet përmendur mafia në këto biseda? Duket se mafia është zgjidhja e të gjitha pikëpyetjeve tona.

Dhe në lidhje me mafian: si nuk gjetëm një mafia më me etikë, që të mos ndryshojë shijet artistike brenda 2 muajve? Ka nevojë njeriu për një mafie më të qëndrueshme!!!

Dhëntë Zoti që Elhaida Dani të këndojë një këngë të papërsëritshme, se vetëm kështu do të na bien veshët rehat deri në koncertin tjetër të Vienës!

E mirepresim mendimin tuaj: