E keqja dhe shpresa!

kuturuBesim, Tent-a-tivë0 Comments

Pa pikë dyshimi tronditja e opinionit publik rreth rastit “Përrenjasi” është e përligjur. Dhe përtej thirrjeve në rrugë për dënimin e kriminelit të supozuar (sepse është në proces gjykimi akoma dhe s’jam unë autoriteti gjykues) më vjen mirë që një numër aktorësh publikë (gazetarë, publicistë, analistë, qeveritarë, gjykatës, politikanë, prokurorë) janë përfshirë në debat – të paktën ngjan si një debat i vërtetë për ambientin shqiptar dhe jo i sajuar nga kulisat e kujtdo që i pëlqen sajimet.

Sapo lexova dy reagime që janë një përqasje interesante ndaj fenomenit të reagimit publik ndaj autorit të krimit. Njëri reagim thekson ngarkesën gati gati kriminale (sipas autorit) të reagimit dhe thirrjeve për vrasje të vrasësit nga qytetarë e familjarë të tij. Ja ç’thotë M. Nano mes të tjerash:

“Nuk kuptohet se ç’është kjo dëshirë e maní kolektive për t’u përballur në mënyrë kriminale me një krim e me një kriminel, ç’është kjo gatishmëri për të marrë përsipër ca punë të ndyra (siç është vrasja), në një kohë që kemi rënë dakord t’ia lëmë në dorë shtetit t’u tregojë vendin atyre që vrasin. Nuk kuptohet, gjithashtu, sesi është e mundur që edhe janë kaq të tronditur nga vrasjet që ndodhin, sidomos nga këto të kryera nga ky pedofil (është vënë re këto dy ditë një tronditje e madhe, në fakt), edhe janë në të njëjtën kohë të gatshëm të vrasin fare pa të keq, aty për aty, pa asnjë brerje ndërgjegjeje, shí si të jenë njerëz të stërvitur e të prerë për të vrarë.”

Në fund, pas analizës, Nano thërret median të jetë e përgjegjshme në pasqyrimin e këtij zëri makabër kolektiv për vrasje të dikujt!

Vetëm kaq! Eshtë mirë mendoj por është e pamjaftueshme për thelbin e çështjes.

Reagimi tjetër, nga një këndvështrim tjetër thekson që shoqëria nuk është tronditur aq sa duket – “një shkundje e momentit” thotë Nikolla duke i gjetur rrënjët e problemit në një shoqëri komuniste që ka krijuar një kolektiv në vend të një komuniteti. Sipas Nikollës, na duhet të ndërtojmë

“një komunitet të vërtetë ku bashkëndahen dhimbja, problemet, vështirësitë e ku shpresa merr kuptim.”

Vetëm kaq. Eshtë mirë mendoj por është e pamjaftueshme për thelbin e çështjes!

Kush është problemi sipas mendimit tim?

Shpresa është një lloj institucioni që nuk ngrihet mbi gënjeshtrën, as mbi mashtrimin, as mbi padrejtësinë, e as mbi baza morale të sajuara nga një shoqëri që as nuk beson fare në egzistencën e një baze objektive për moralin. Kështu që nevoja për të ndërtuar një shoqëri të mirë është një pikënisje e mirë për shpresë, por s’na jep asnjë lloj garancie që kjo shpresë do të materializohet. Sepse, troç, shoqëria jonë është e kalbur deri në aty ku s’mban më, deri aty ku edhe kutërbimi i kalbësisë që na zë hundët përditë nuk na i trazon fare të përbrendshmet – sepse jemi mësuar me të.

Dhe nga ana tjetër, më jep shpresë që herë pas here, ka thirrje për median që të jetë e përgjegjshme… e në të njëjtën ditë që bëhen thirrjet, një turmë tjetër “mediatikësh” ia shtojnë kalbësirën ambientit e bëjnë po ato veprime të shëmtuara të cilat i kritikojnë ditën. A i keni vënë re sharjet e të gjitha llojeve që shfaqen orë e pa orë në ekranet TV? Djali im 9 vjeç që ka qejf të shikojë Formula 1 në TV nuk mund të rrijë i vetëm përpara TV (unë preferoj të mos shikoj garën) nga meraku im se mos shfaqet ndonjë reklamë e shëmtuar që i mëson djalit tim që perversiteti është normal. Për të mos folur pastaj për programe të tjera që, po ti ndjekësh, shikon më shumë lakuriqësi sesa shikoj me gruan që më ka bërë dhuratë Zoti!

Kështu, që kemi ngelur të pa shpresë. Deri në pikën që Albert Nikolla përmend një fjalë “të panevojshme për mendjet e ndritura të vendit” (ka ironi në frazën në thonjza!) – fjalën “ungjill”.

Dhe për mua aty fillon shpresa!

E para, sepse ungjilli, për aq sa e njoh unë, përfshin dënimin e padrejtësisë, deri në pikën e fundit të gjakut.

Disa thonë që ungjilli është falas… E vertetë – por është falas për ata që e besojnë – për Jezus Krishtin që e bëri të mundur, u pagua me vdekje! Me dhimbje. Me braktisje. Të gjitha ligësitë e botës u derdhën mbi të! Në këtë çadër ideore, duhet ta kemi të qartë që Zoti do të dënojë ashtu siç e meritojnë të gjithë ata që kryejnë të keqen. Pedofilët po e po, por edhe vrasësit, edhe mashtruesit, edhe imoralët, edhe gënjeshtarët, edhe ata që mashtrojnë duke përdorur pozita e ata që përdorin sensualitet për të goditur njerëz nevojtarë… Të gjithë do të dënohen.

Këtu e gjej të nevojshme të theksoj që thirrja për të dënuar ashpër fajtorët vjen pikërisht prej kësaj nevoje për ta parë drejtësinë të funksionojë. Zoti e do që të dënohet, edhe ne që jemi krijesa të tij, e duam që të dënohet gjithashtu.

E dyta, sepse ungjilli jep falje. Cfarë do të thotë kjo?

Meqë Jezusi e mbajti ligësinë e dënimin mbi vete, ka vend për një zemër që thellësisht e pranon fajin për t’u falur e pranuar. Se çfarë bëhet me një pedofil nuk e di. Por unë e di që ligësia e zemrës sime dhe e keqja që ka zënë rrënjë në qënien tonë (e dëshmuar nga dëshira e përditshme për të vrarë, dënuar, ulur e sunduar njerëz) mund të zhduket e të rilindë veç me anë të faljes së Jezusit.

E ndërlikuar apo jo? Po. Por shpresa vjen veç prej pranimit të një autoriteti më të lartë se ne, që e ka zgjidhur këtë realitet të ngatërruar siç mendon Ai që duhet zgjidhur – dhe ne si qënie më të ulta e në nevojë për shpresë, duhet të pranojmë zgjidhjen e tij… Një zgjidhje që ofron dhënien e dënimit deri në pikën e fundit të fajit, por edhe një shpresë për falje e rifillim nga e para.

Këtu fillon thirrja ime për të marrë në konsideratë këtë bazë për shpresën, e këtë ofertë për të qetësuar zemrat e trazuara prej ligësisë…

E mirepresim mendimin tuaj: