E keqja e ulur këmbëkryq… por e padukshme për analistët!

kuturuPo-e-Zi0 Comments

Nuk do të merrja guximin për të shkruar për tragjedinë e Konektikatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vdiqën 28 persona, nga të cilët 20 fëmijë, pothuajse të gjithë në moshën e kalamajve të mi!

Nuk do të merrja guximin sepse guximi në përshkrimin e këtyre rasteve duhet minimalisht të jetë në përputhje me llogjikën e përdorur nga autori, që të mund të shpjegohet ngjarja. Por, dukshëm, rasti shkon përtej llogjikës njerëzore, ndaj unë, si përdorues modest i llogjikës, nuk mund të arsyetoj rastin në fjalë.

Dhe vendosa të shkruaj, kur dëgjova mbrëmë, dy zonja të njohura për aktivitetin e tyre publik, që po përpiqeshin të llogjikonin rastin në fjalë në një nga ekranet TV shqiptare.

Mu duk që zonjat po përpiqeshin të “llogjikojnë” rastin… duke folur për “vetminë” e autorit që ndoshta ka qënë një shenjë që na tregon diçka! Ose për kontrollin në shkolla që mund të jetë një masë parandaluese. (Nuk e ndoqa të gjithë diskutimin kështu që nuk pretendoj që i di të gjitha argumentet e parashtruara!)

Cfarë më bën përshtypje në përpjekjet për të shpjeguar rastin?

“E keqja” si dukuri objektive në realitetin tonë nuk përfshihet më në kategoritë llogike. Pothuajse askush nuk e përmend. Jemi kaq shumë të fokusuar në përpjekjet tona për ta bërë botën më të mirë, sa, krejt pa dashje (edhe me dashje, ndonjëherë!) kemi përjashtuar mundësinë që e keqja të jetë këmbëkryq në realitetin tonë, dhe të bëjë kërdinë përditë, ndërkohë që ne përpiqemi ta shpjegojmë realitetin me “arsyetime” krejtësisht të papërshtatshme.

Nuk ka shpjegim tjetër “më llogjik” për tragjedinë e amerikës. E as për tragjeditë e tjera. Kemi akoma një 10 vjeçar shqiptar që është i humbur prej gati një muaji. Ndoshta keni parë mbrëmë në një program tjetër TV që vetëm pas malit të Dajtit, e keqja “ulet” këmbëkryq duke djegur shtëpi e duke plaçkitur, pikërisht aty ku realisht s’ke çfarë të vjedhësh, të djegësh, e të plaçkitësh!

Unë mund ta kuptoj se pse “e keqja” e dukshme nuk dallohet! Sepse dallimi i saj, na çon në kategori që tashmë po fillojmë ti përjashtojmë apriori nga realiteti… sidomos nga realiteti “modern” e “pararojë” i medias shqiptare. Pothuajse askujt nuk i duket e modës që të flasë për Zotin… se llogjikisht nuk do të kishtë kuptim të flasësh për të mirën dhe të keqen… pa folur për Zotin. Dhe pastaj po e fillove këtë diskutim, duhet të jesh gati ta çosh deri në fund…

Si fillim, thjesht duhet të jemi në gjendje ta shikojmë të keqen, që është mu në mes të realitetit tonë (në gjithë botën!) dhe që vepron, fuqishëm, deri në dhimbje, deri në vrasje, e madje deri në vrasje edhe të atyre që s’e kanë idenë akoma se çfarë është vrasja!

“E keqja ka vizituar këtë komunitet sot…”, tha guvernatori i Konektikatit Danel Malloi, ditën e tragjedisë. Dhe ka folur mirë, megjithëse as fjalët s’kanë kuptim në këto raste!

E mirepresim mendimin tuaj: