E bukura është t’ia tregosh të gjithëve… por

kuturuKulture Shqiptare, Po-e-Zi0 Comments

Është e zakonshme që një kompani të përdorë imazhe seksuale për të ndjellë publikun. Në Shqipëri… por edhe kudo! Shembuj “të trashë” të kësaj ndjelljeje kemi parë edhe kemi përmendur edhe me përpara.

Por herë pas herë, ndonjë kompani e madhe dhe me zë në treg, na befason kur i drejtohet seksualitetit për të reklamuar një produkt. A thua po i ikin klientët që tregohen kaq agresive? Apo ju mungon krijueshmëria në stafin e tyre që gjejnë “rrugën më të lehtë” për të ndjellë konsumatorët?

(Pse është rruga më e lehtë duhet trajtuar në një rast tjetër).vodafone

Këtë rradhë më befasoi Vodafone. Kur m’u shfaq reklama ne ekran menjëherë pasi përfundoi një ndeshje futbolli në darkë vonë, u çudita. M’u desh të prisja shfaqjen e dytë të reklamës brenda 10 minutash, për tu siguruar që ishte realisht Vodafone e jo ndonjë tjetër kompani që shet ndonjë pije energjike të kopjuar.

Megjithatë, një fije shprese më kaloi nëpër tru. Pak a shumë kjo fije shprese kishte idenë kryesore në fjalët e mëposhtme: “të paktën po e japin vonë në TV dhe s’do të shfaqet gjithandej nëpër rrugë”.

Por të enjten, paraditen e 7 Marsit, e pashë të shfaqur në një rrugë të tejmbushur me të rinj (e kam fjalën për fëmijë!) në Tiranë. Fotoja shoqëruese e këtij postimi vjen nga rruga në krah të Liceut Artistik në Tiranë.

Se çfarë i duket e bukur Vodafone në këtë rast është një çështje. Por që ky koncept “bukurie” (i përçudnuar, natyrisht!), të na imponohet në mes të rrugëve një publiku shumë të gjërë, kjo po, që do urgjentisht të diskutohet.

Në këto raste, kur publiku (ose të paktën një pjesë e këtij publiku), mendon që reklama shkon ndesh me mirëqënien tonë shpirtërore e fizike (sidomos me mirëqënien e fëmijëve tanë), atëherë, çfarë të bëjmë?

A keni ndonjë ide se si mund të reagojmë që Vodafone të na dëgjojë, të ndalojë reklamën edhe të fillojë punën e vështiërë të prodhimit të reklamave që janë vërtet përçuese të vlerave të mira?

Më thoni…

E mirepresim mendimin tuaj: